FOKUS – Rusia godet Kievin me raketa balistike, të paktën nëntë të vdekur dhe 30 të plagosur
– Rusia ka kryer një sulm masiv ajror gjatë natës ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, duke përdorur raketa balistike dhe dronë, ku si pasojë humbën jetën të paktën nëntë persona dhe u plagosën rreth 30 të tjerë, njoftuan autoritetet ukrainase, sipas AP.
Sulmi, një nga goditjet më të rënda të ditëve të fundit ndaj kryeqytetit ukrainas, shkaktoi dëme të mëdha në ndërtesa banimi, objekte publike dhe infrastrukturë në disa zona të Kievit.
Sipas Forcave Ajrore ukrainase, Rusia lëshoi rreth 35 raketa, përfshirë 27 raketa balistike, si dhe më shumë se 180 dronë, duke synuar kryesisht rajonin e Kievit.
Mbrojtja ajrore ukrainase, pati vështirësi veçanërisht me raketat balistike, për shkak të mungesës së raketave interceptuese për sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore.
Një ndërtesë banimi pesëkatëshe në distriktin Solomianskyi, u dëmtua rëndë nga mbetjet e një rakete dhe nga zjarri që shpërtheu pas goditjes.
Ekipet e shpëtimit evakuuan dhjetëra banorë nga katet e sipërme, ndërsa dy persona humbën jetën në këtë zonë.
Autoritetet raportuan gjithashtu dëme në zona të tjera të Kievit, përfshirë ndërtesa banimi, një shkollë, objekte infrastrukturore dhe selinë diplomatike të Lituanisë.
Shërbimet e emergjencës vijuan kërkimet nën rrënoja, pasi dyshohej se persona të tjerë mund të ishin bllokuar.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti thirrjet ndaj aleatëve perëndimorë, për furnizime të reja me sisteme të mbrojtjes ajrore, veçanërisht raketa për sistemet “Patriot”, duke paralajmëruar se mungesa e tyre po e bën më të vështirë mbrojtjen e qyteteve nga sulmet balistike.
Sulmi vjen vetëm dy ditë pas një tjetër bombardimi të madh rus ndaj Ukrainës, ku u raportuan viktima dhe dhjetëra të plagosur, duke rritur shqetësimet për intensifikimin e sulmeve ajrore, ndërsa lufta ka hyrë në vitin e saj të pestë.
Kievi dhe Moska vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për sulme ndaj objektivave civile, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mbeten të pasigurta. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.