FOKUS – SHBA-ja dhe Irani shkëmbejnë sulme, rriten tensionet për Ngushticën e Hormuzit
– SHBA-ja ndërmori një valë të re sulmesh ndaj Iranit dje në mbrëmje, duke vazhduar përshkallëzimin e konfliktit mes dy vendeve, raportoi BBC.
Mediet shtetërore iraniane raportuan se një person humbi jetën në jugperëndim të Iranit, ndërsa katër të tjerë u plagosën.
Vetëm pak orë pas sulmeve amerikane, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se kishte goditur baza ushtarake amerikane në Kuvajt, Jordani dhe Bahrein.
Përshkallëzimi i sulmeve ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme SHBA-Iran, të nënshkruar në qershor, ndërsa palët vazhdojnë të japin deklarata kontradiktore, për statusin e Ngushticës së Hormuzit.
Irani pretendon se e ka mbyllur këtë rrugë strategjike detare deri në një njoftim të dytë, ndërsa SHBA-ja këmbëngul se ajo mbetet e hapur për lundrim.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet e reja nisën në orën 17:00 sipas kohës lindore amerikane (22:00).
Sipas saj, u goditën dhjetëra objektiva ushtarake iraniane, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë dhe kapacitete raketore e dronësh.
CENTCOM deklaroi se forcat amerikane janë të gatshme të garantojnë lirinë e lundrimit për anijet tregtare, pavarësisht, sipas saj, “agresionit, kërcënimeve dhe deklaratave të pajustifikuara” të Iranit.
Pak minuta para njoftimit të CENTCOM-it, televizioni shtetëror iranian raportoi shpërthime në Sirik, Qeshm, Bandar Abbas dhe Jask.
Agjencia shtetërore IRNA, duke cituar zëvendësguvernatorin e provincës Khuzestan, Valiollah Hayati, raportoi se një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën nga sulmet amerikane.
Ndërkohë, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm në tregjet aziatike.
Nafta “Brent” u rrit me 4%, duke arritur në 79,07 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 4,2%, në 74,53 dollarë për fuçi.
Tregjet e energjisë kanë shfaqur luhatje të mëdha muajt e fundit, ndërsa investitorët u përgjigjen zhvillimeve të konfliktit.
Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, Teherani mbylli praktikisht Ngushticën e Hormuzit, një rrugë përmes së cilës, kalon rreth 20% e eksporteve botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Sulmet e fundit pasuan një tjetër ofensivë amerikane, gjatë së cilës, sipas CENTCOM-it, u goditën 140 objektiva ushtarake iraniane.
Në përgjigje, Garda Revolucionare iraniane kreu sulme ndaj bazave amerikane dhe aleatëve të SHBA-së në rajon, duke zgjeruar konfliktin.
Mes objektivave ishin edhe Katari, ndërmjetës në bisedimet për armëpushim, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Përshkallëzimi i ri ka vënë në rrezik marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit, e cila synonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje të përhershme.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi më herët këtë javë se, sulmet iraniane nënkuptonin fundin e armëpushimit, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, akuzoi SHBA-në për shkeljen e marrëveshjes.
Megjithatë, Trump tha se bisedimet do të vazhdojnë dhe se ndërmjetësit po përpiqen të rikthejnë procesin diplomatik.
Ndërkohë, CENTCOM këmbënguli se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur dhe se ushtria amerikane është e gatshme të sigurojë lirinë e lundrimit. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.