FOKUS – Ukraina planifikon shpenzime rekord për mbrojtjen në 2027-n
KIEV, 17 shtator /ATSH-AFP) – Qeveria ukrainase planifikon të shpenzojë një shumë rekord prej rreth dy të tretave të buxhetit të shtetit për mbrojtjen dhe sigurinë vitin e ardhshëm, ndërsa kostot e luftës me Rusinë vazhdojnë të rëndojnë mbi ekonominë e vendit.
Dokumentet e qeverisë tregojnë se Ukraina planifikon të lëvrojë 4,9 trilionë hryvnia, rreth 109 miliardë dollarë, për mbrojtjen dhe sigurinë në vitin 2027.
Kjo shumë përbën rreth 44% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe do të ishte niveli më i lartë që prej pushtimit rus në vitin 2022.
Rreth një e treta e kësaj shume pritet të përdoret për pagat e ushtarëve, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë kryesisht për blerjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Lufta ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë ukrainase dhe ka krijuar një deficit të konsiderueshëm financiar.
Në fillim, Ukraina i financonte shpenzimet e mbrojtjes kryesisht nga të ardhurat e veta, por vitet e fundit është mbështetur gjithnjë e më shumë te partnerët ndërkombëtarë.
Qeveria ukrainase planifikon të kërkojë 53 miliardë dollarë ndihmë të huaj shtesë gjatë vitit 2027, përfshirë financime nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Ministri ukrainas i Financave, Sergiy Marchenko, tha se buxheti është hartuar në një periudhë kur agresioni rus vazhdon dhe nevojat për sigurinë dhe mbrojtjen mbeten prioritare.
Sipas tij, burimet e brendshme të shtetit po orientohen drejt aftësisë së Ukrainës për të vazhduar luftën.
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi parlamentin se do të duhet të miratohen masa “të pakëndshme dhe jopopullore” për të siguruar financimin e huaj.
Ndër propozimet është edhe vendosja e një takse mbi pakot e ardhura nga jashtë.
Sipas të dhënave të qeverisë ukrainase, vendi ka marrë rreth 200 miliardë dollarë financime nga partnerët ndërkombëtarë që prej pushtimit rus në vitin 2022, krahas miliarda dollarëve ndihmë ushtarake. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.