FRANCË – 1/4 e lumenjve janë tharë për shkak të mungesës së reshjeve dhe të nxehtit ekstrem
PARIS , 24/ATSH – AA/ – Rreth një e katërta e lumenjve të vegjël në Francë janë tharë tashmë, ndërsa vendi po përballet me atë që mund të shndërrohet në një thatësirë më të rëndë se ajo rekord e verës së vitit 2022, paralajmëroi sot një hidrologe e Qendrës Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS).
“Njëzet e pesë për qind e lumenjve të vegjël në Francë janë të tharë për momentin. Ky është një nivel që tejkalon ndjeshëm ecurinë e zakonshme të thatësirave”, tha për “France Inter” hidrologia dhe studiuesja e CNRS-së, Agnes Ducharne.
Ducharne tha se me përjashtim të rezervave të ujërave nëntokësore, të gjithë treguesit e thatësirës janë tashmë më të rëndë sesa ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022. “Të gjithë treguesit tregojnë për një thatësirë të jashtëzakonshme”, tha Ducharne duke shtuar se situata aktuale “me shumë gjasa do të jetë edhe më e rëndë deri në fund të sezonit”.
Ajo shpjegoi se gjendja e ujërave nëntokësore mbetet më pak kritike se në vitin 2022 falë reshjeve të shumta gjatë dimrit, por shtoi se treguesit e thatësirës sipërfaqësore janë përkeqësuar shumë më shpejt këtë vit.
Ducharne kritikoi ligjin e sapomiratuar të Francës për emergjencën në bujqësi, i cili synon të dyfishojë kapacitetin e depozitimit të ujit për bujqësinë deri në vitin 2035. Ajo e përshkroi krijimin e rezervuarëve të mëdhenj të ujit si “një fantazi”, duke shtuar se kjo është “shumë më e vështirë për t’u realizuar sesa mendojnë njerëzit”.
Në vend të kësaj, ajo argumentoi se Franca duhet t’i japë përparësi uljes së konsumit të ujit dhe reduktimit të emetimeve të gazeve serrë për të kufizuar shpeshtësinë dhe ashpërsinë e thatësirave në të ardhmen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.