FRANCË – Macron: Evropa nuk mund të mbrohet e ndarë, bashkëpunimi ushtarak është i domosdoshëm
– Presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje sot vendeve evropiane, të mos ndjekin politika të ndara të mbrojtjes, ku secili shtet përpiqet të forcojë ushtrinë e tij më vete, sipas “Reuters”.
Sipas tij, përballë kërcënimit nga Rusia dhe presionit të SHBA-së ndaj aleatëve evropianë për të rritur shpenzimet ushtarake, Evropa duhet të veprojë së bashku.
Deklarata e Macron vjen një muaj pas dështimit të projektit franko-gjerman, për ndërtimin e një avioni luftarak të gjeneratës së re.
Projekti u bllokua për muaj të tërë, për shkak të mosmarrëveshjeve mes kompanive të mbrojtjes, duke treguar rivalitetet industriale, që rrezikojnë përpjekjet e Evropës për të ndërtuar një mbrojtje të përbashkët.
“Sa herë që krijojmë ndarje mes nesh, mund të ndihemi mirë për momentin, por në të vërtetë krijojmë vonesa për të ardhmen. Sa herë që i dorëzohemi nacionalizmit, në Francë apo kudo tjetër, ne harrojmë historinë tonë. Patriotizëm po, nacionalizëm kurrë”, tha Macron gjatë fjalimit të tij vjetor, para forcave të armatosura franceze, në prag të festës kombëtare të Francës, “Ditës së Bastijës”.
“Ndërsa Evropa rrit kapacitetet e saj ushtarake, të mendosh se e ardhmja qëndron te fakti që secili vend të grumbullojë armë dhe pajisje i vetëm, është një absurditet”, shtoi ai.
Macron tha se i vinte “thellësisht keq” për dështimin e projektit FCAS, një program për krijimin e një avioni të avancuar luftarak – ku merrnin pjesë Franca dhe Gjermania përmes kompanive “Dassault Aviation” dhe “Airbus”.
Megjithatë, ai u bëri thirrje vendeve evropiane dhe kompanive të armëve, të shmangin përsëritjen e të njëjtave kapacitete ushtarake dhe të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta, si prodhuesi franko-gjerman i tankeve KNDS.
Fjalimi i Macron vjen gjithashtu, në një kohë kur në Francë ka shqetësime për rritjen e shpejtë të shpenzimeve ushtarake nga Gjermania.
Zyrtarët francezë druajnë se Berlini mund të krijojë konkurrencë të re, në një fushë ku Franca tradicionalisht ka pasur një rol të fortë, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.
Macron u shpreh i kënaqur që ka përmbushur premtimin e tij për të dyfishuar buxhetin e mbrojtjes së Francës brenda një dekade, por paralajmëroi kompanitë franceze të armëve, se duhet të rrisin ritmin e prodhimit, për të përballuar kërkesën në rritje.
“Për dronët, sistemet e mbrojtjes ajrore, raketat dhe municionet, ne nuk po prodhojmë mjaftueshëm shpejt dhe as në sasi të mjaftueshme”, tha presidenti francez. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.