Greqia e vendosi Maqedoninë e Veriut në listën e shteteve me regjim tatimor të privilegjuar
Gjithsej 42 shtete, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, janë përfshirë në listën e shteteve për të cilat Greqia konsideron se kanë një “regjim tatimor të privilegjuar” për vitin tatimor 2024. Bëhet fjalë për shtete në të cilat personat juridikë i nënshtrohen një norme tatimore më të ulët se ajo që do të zbatohej nëse do të ishin rezidentë tatimorë ose do të kishin aktivitet të përhershëm biznesi në Greqi.
Vendimi ministror për “Përcaktimin e shteteve që kanë regjim tatimor të privilegjuar, në bazë të dispozitave të paragrafëve 6 dhe 7 të nenit 65 të Ligjit 4172/2013, për vitin tatimor 2024” është publikuar në Gazetën Zyrtare të Greqisë dhe është nënshkruar nga ministri dhe zëvendësministri i Ekonomisë Kombëtare dhe Financave, Kirjakos Pierakakis dhe Dimitris Markopulos, informoi MIA.
Sipas vendimit të Ministrisë greke, si shtete me “regjim tatimor të privilegjuar” përcaktohen ato shtete në të cilat “personi juridik ose subjekti juridik i nënshtrohet tatimit mbi fitimin, të ardhurat ose kapitalin, norma tatimore e të cilit është e barabartë ose më e ulët se 60 për qind e normës tatimore të personave juridikë dhe subjekteve juridike që do të duhej të paguanin sipas legjislacionit tatimor grek”, nëse do të ishin rezidentë tatimorë ose do të kishin aktivitet të përhershëm biznesi në Greqi.
Bazuar në këtë kriter, për vitin tatimor 2024, në listën greke janë përfshirë 42 shtete dhe territore.
Nga vendet evropiane, përveç Maqedonisë së Veriut, në listë janë edhe Shqipëria, Andorra, Bullgaria, Qiproja, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Monako, Hungaria, Irlanda, Lihtenshtajni dhe Moldavia.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.