Hoti reagon ndaj pretendimeve për abuzim me shtesat për fëmijë: Vendimet merren sipas kritereve, diferenca nuk nënkupton abuzim
Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, thotë se numri i përfituesve është dinamik dhe ndryshon vazhdimisht si rezultat i kritereve e verifikimeve, ndërsa pezullimi i pagesave gjatë verifikimit nuk do të thotë keqpërdorim.
Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar sot lidhur me shtesat për fëmijë, duke thënë se është e papranueshme që “pa asnjë fakt, pa asnjë argument” dhe “pa i kushtuar as dy minuta leximit të legjislacionit në fuqi” të fabrikohen pretendime të paqena për keqpërdorim.
Sipas Hotit, numri i përfituesve në kuadër të Programit të Shtesave për Fëmijë është dinamik dhe ndryshon vazhdimisht, si rezultat i zbatimit të kritereve të përcaktuara për këtë program dhe përditësimit të të dhënave të përfituesve.
Në këto ndryshime ndikojnë faktorë të ndryshëm, si përfshirja e fëmijëve të rinj në program, arritja e moshës 16-vjeçare, ndryshimi i rrethanave të përfituesve, përditësimi dhe harmonizimi i të dhënave me regjistrat institucionalë, si dhe proceset e rregullta të verifikimit.
Hoti shpjegoi se kur nevojiten verifikime shtesë, pagesa mund të pezullohet deri në përfundimin e procedurave, por pezullimi gjatë verifikimit nuk nënkupton automatikisht largim përfundimtar nga programi apo konstatim të keqpërdorimit.
“Rrjedhimisht, diferenca ndërmjet numrit të përfituesve në muaj të ndryshëm nuk mund të konsiderohet në tërësi si numër i personave që kanë keqpërdorur programin dhe as të përkthehet automatikisht në dëm financiar”, deklaroi Hoti, duke shtuar se çdo rast trajtohet individualisht dhe aty ku konstatohet përfitim i pabazuar, veprohet sipas legjislacionit në fuqi.
Burimi: Klan Kosova



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.