Karta digjitale e punës bëhet e detyrueshme nga sot në sektorë të rinj në Greqi, mbulon rreth 2.5 milionë punonjës
Nga e hëna, 16 nëntor, masa që regjistron kohën reale të punës shtrihet në konsulencë, reklama, logjistikë, menaxhim ujërash dhe lojëra fati — Ministria e Punës synon frenimin e orëve shtesë të padeklaruara.
Nga sot, e hëna 16 nëntor 2026, Karta Digjitale e Punës bëhet e detyrueshme në Greqi edhe në sektorë të rinj, siç njofton ERT News. Masa, e cila regjistron në kohë reale fillimin dhe mbarimin e punës, shtrihet tashmë në shërbimet e konsulencës, reklamat dhe aktivitetet e tjera të zyrave, si dhe në riparime, magazinim dhe shërbime mbështetëse të transportit.
Sipas raportimit të ERT News, zgjerimi përfshin gjithashtu menaxhimin e ujit dhe të ujërave të zeza, si dhe lojërat e fatit. Me këtë hap, sistemi pritet të mbulojë rreth 2,5 milionë punonjës në të gjithë vendin.
Kjo fazë e zbatimit nisi më 29 qershor 2026 dhe, deri më 15 nëntor, ishte në fazë pilotimi, periudhë gjatë së cilës bizneset patën kohë të përshtateshin me kërkesat e reja. Zbatimi mbështetet në aplikacionin myErgani dhe në sistemin e përmirësuar informatik ERGANI II.
Sipas Ministrisë së Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, qëllimi është regjistrimi i saktë i kohës reale të punës, kufizimi i orëve shtesë të padeklaruara dhe i ndryshimeve të paligjshme të orareve të deklaruara, si dhe më shumë transparencë në kontrollet e Inspektoratit të Punës. Masa synon gjithashtu luftën kundër punës së padeklaruar dhe të nëndeklaruar dhe shmangies së kontributeve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.