Hyn në fuqi Ligji i BE-së për Inteligjencën Artificiale
Rregullat e reja të Bashkimit Evropian, që u kërkojnë kompanive të identifikojnë qartë përmbajtjen e krijuar ose të manipuluar nga Inteligjenca Artificiale (Al), kanë hyrë zyrtarisht në fuqi si pjesë e Aktit për Inteligjencën Artificiale (AI Act).
Sipas Nenit 50 të ligjit, ofruesit e chatbot-eve dhe sistemeve të tjera interaktive të Al-së duhet t’i informojnë përdoruesit kur janë duke komunikuar me një sistem të Inteligjencës Artificiale, përveç rasteve kur kjo është e vetëkuptueshme.
Komisioni Evropian thekson se platformat që krijojnë tekst, imazhe, video ose audio sintetike duhet të përdorin shënues teknikë të lexueshëm nga makinat, në mënyrë që materiali të mund të identifikohet si i gjeneruar ose i manipuluar nga Al.
Po ashtu, kompanitë dhe përdoruesit profesionistë që publikojnë deepfake ose përmbajtje të krijuar nga Al për tema me interes publik, e cila nuk i është nënshtruar verifikimit njerëzor apo kontrollit editorial, do të jenë të detyruar ta etiketojnë atë në mënyrë të qartë.
Sipas Komisionit Evropian, këto masa synojnë të kufizojnë mashtrimin, imitimin dhe dezinformimin, duke u mundësuar qytetarëve të dallojnë nëse materiali që shohin, dëgjojnë apo lexojnë është autentik.
Ligji parashikon përjashtime për veprat artistike, krijuese, satirike dhe fiktive që përmbajnë deepfake, ku etiketimi mbetet i detyrueshëm, por mund të paraqitet në një mënyrë që të mos ndikojë në përvojën e publikut.
Rregullat nuk zbatohen për individët që përdorin Al vetëm për qëllime personale dhe jo komerciale. Megjithatë, ata që e përdorin rregullisht për përfitime ekonomike ose në kuadër të një biznesi apo aktiviteti profesional do t’u nënshtrohen kërkesave të reja.
Disa prej platformave më të mëdha teknologjike i kanë zbatuar këto praktika edhe përpara hyrjes në fuqi të ligjit. TikTok njofton se ka etiketuar mbi 3 miliardë video të krijuara me Al, ndërsa Meta përdor etiketën “AI Info” në Facebook dhe Instagram kur identifikon përmbajtje të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Edhe Google ka nënshkruar kodin e transparencës së BE-së dhe po zhvillon teknologji si SynthID dhe Content Credentials për identifikimin e përmbajtjes së krijuar nga Al. /AA/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.