Indeksi i përballueshmërisë; Rritja e qirave po rëndon familjet
Ndikimi i shtrenjtimit të çmimeve të qirave për strehim afatgjatë po ndihet kryesisht te buxhetet e familjeve të reja.
Për Grejsin, 35-vjeçaren nga qyteti i Librazhdit, rritja e qirasë për strehim po e bën gjithnjë e më të vështirë qëndrimin në Tiranë. Prej dy vitesh, ajo jeton me vajzën e saj 8-vjeçe në një apartament me qira në zonën e Freskut, për të cilin paguan 450 euro në muaj.
Si prind i vetëm pas divorcit, Grejsi thotë se përballimi i qirasë është kthyer në sfidën më të madhe financiare të familjes së saj. Ajo punon si ndihmëseparukiere në një sallon bukurie dhe paguhet me një pagë neto prej rreth 60 mijë lekësh në muaj.
“Është shumë e vështirë ta përballosh. Pjesa më e madhe e të ardhurave shkon për qiranë, ndërsa duhet të mbuloj edhe shpenzimet e tjera për shkollimin e vajzës.
Pa ndihmën financiare të prindërve është e vështirë ta përballoj koston e qirasë dhe të jetesës”, shprehet ajo.
Për shkak të kostove të larta të banimit, Grejsi po mendon të largohet nga Tirana. Ajo tregon se familja e saj po ndërton një shtëpi private në Durrës dhe, nëse kushtet financiare nuk përmirësohen, planifikon që vitin e ardhshëm të transferohet atje së bashku me vajzën.
Sipas standardeve ndërkombëtare, strehimi konsiderohet i përballueshëm kur nuk kalon rreth 30% të të ardhurave mujore bruto të familjes, apo individit.
Kur qiraja kalon mbi 30% të të ardhurave mujore, ajo konsiderohet e papërballueshme dhe sinjalizon stres financiar te një familje për strehimin. Nëse arrin mbi 50%, kjo gjendje quhet “housing cost burden” ekstrem, që rrit rrezikun e pasigurisë në strehim.
Në rastin e Tiranës, kufiri i përballueshmërisë i llogaritur nga “Monitor” për periudhën janar-qershor 2026, tejkalohet për 13 zona në Tiranë. I paarritshëm, kufiri ndërkombëtar i përballueshmërisë së qirasë rezulton edhe për periudhën janar-qershor 2025.
Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti 90,119 lekë apo rreth 930 euro, për 3-mujorin e parë të vitit 2026, sipas INSTAT. Paga mesatare neto arriti 72 mijë lekë, apo rreth 740 euro.
Në tremujorin e dytë të 2025-s, paga mesatare bruto sipas INSTAT ishte 83,906 lekë apo 862 euro. Paga mesatare neto arriti 67,500 lekë apo 708 euro.
Duke marrë në referencë pagën neto mesatare prej 740 eurosh në muaj për periudhën janar-mars 2026 dhe çmimet mesatare të qirave për apartamentet 1+1, rezulton se individi i vetëm me të ardhurat mujore nuk arrin të përballojë strehimin me qira në Tiranë, sipas koeficientit ndërkombëtar prej 30% të të ardhurave.
Edhe në zonat periferike, edhe pse çmimet mesatare të qirave janë më të ulëta sesa në zonat afër qendrës, kostoja për strehim mbetet e papërballueshme. Sipas llogaritjeve, situata ishte e njëjtë edhe për periudhën janar-qershor 2025.
Në “Astir”, një apartament 1+1 me qira mesatare rreth 550 euro zë 74% të të ardhurave mujore neto të një individi, nga 67% që ishte për muajt janar-qershor 2025.
Burimi: Agjencia Imobiliare Century 21 për Qiratë
INSTAT për Pagat, Përpunime të Monitor
Për zonën e Kombinatit, strehimi me qira afatgjatë për muajt janar-qershor 2026 në një apartament 1+1 zë 49% të të ardhurave mujore neto. Koeficienti i përballueshmërisë së strehimit është i njëjtë me janar-qershor 2025.
Në zonën e Freskut, koeficienti i përballueshmërisë arrin 47% për janar-qershor 2026.
Në “Zogun e Zi”, ku qiraja mesatare për muajt janar-qershor arriti 620 euro në muaj, përballueshmëria arrin 84% të të ardhurave neto, në zonën “Don Bosko” arrin 66% të të ardhurave mujore neto, në zonën e “Myslim Shyrit”, 81%, në “Komunën e Parisit”, 85%.
Në zonat qendrore, ku kërkesa për banesa mbetet më e lartë, pesha e qirasë është tërësisht e papërballueshme. Në zonën e ish-Bllokut, qiraja mesatare për një apartament 1+1 në periudhën janar–qershor 2026 arriti në rreth 700 euro në muaj, ku zë 95% të të ardhurave neto të një individi.
Në zonën pranë stadiumit “Air Albania”, ku çmimi mesatar i qirasë arriti rreth 800 euro në muaj, një individ me pagë mesatare do ta kishte të pamundur ta përballonte i vetëm këtë kosto.
Në Rrugën e Elbasanit dhe zonën pranë Liqenit Artificial, çmimet e qirasë tejkalojnë nivelin e të ardhurave neto të një individi, pra qiraja është e papërballueshme nga një person i vetëm.
Burimi: Tradingpedia
LEXONI EDHE
Të paktën 600 euro/muaj; Shtëpitë me qira bëhen “mollë e ndaluar” për shqiptarët



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.