Investime për “strategjikët”, shpallet fituesi që do të hartojë projektet e kanalizimeve e impiantit
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka shpallur Institutin Dekliada–Alb fitues të tenderit për studimin dhe projektimin e sistemit të mbledhjes së ujërave të ndotura dhe impiantit të trajtimit në zonën e Drimadhes.
Kompania ka paraqitur një ofertë prej 17.4 milionë lekësh për kontratën, e cila do të përcaktojë zgjidhjen teknike të kanalizimeve në një prej zonave me përqendrimin më të lartë të zhvillimeve kryesisht rezidenciale dhe të mbuluar me “petkun” e turistikëve dhe që kanë statusin e investimeve strategjike të dhënë po nga qeveria.
Detyra e projektimit përfshin Drimadhesin, pjesërisht Palasën dhe zonat veriore ku po zhvillohen struktura të reja. Dokumenti e përshkruan zonën si një hapësirë ku, gjatë dekadës së fundit, janë shtuar ndërtimet rezidenciale, hotelet, resortet dhe strukturat e shërbimit. Sipas dokumentit, zhvillimet janë shoqëruar nga mungesa e një infrastrukture të unifikuar për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura përpara shkarkimit të tyre në mjedis.
Rrjetet ekzistuese janë të pjesshme dhe shpesh u shërbejnë vetëm zonave të kufizuara, pa u lidhur me një sistem të përbashkët transferimi dhe trajtimi. Kapacitetet e kolektorëve dhe stacioneve të pompimit vlerësohen si të pamjaftueshme për prurjet e një sistemi të centralizuar.
Kompania fituese do të hartojë konceptin për bashkimin e rrjeteve ekzistuese dhe atyre në zhvillim në një skemë të vetme kanalizimesh për Palasën dhe Drimadhesin. Pjesë e kontratës është projektimi i kolektorëve kryesorë, degëve dytësore, stacioneve të pompimit dhe linjave të presionit, duke marrë në konsideratë prurjet aktuale dhe zhvillimin e zonës deri në vitin 2050.
Projekti parashikon gjithashtu një impiant të ri për trajtimin e ujërave të ndotura pranë përroit të Drimadhes, në afërsi të impiantit ekzistues. Ai do të projektohet në dy faza: fillimisht për nevojat aktuale dhe më pas për zgjerimin afatgjatë të zhvillimeve turistike.
Zona e fazës së parë ndahet në tri nënbasene. Më i madhi mbulon rreth 145 hektarë në pjesën perëndimore të Drimadhes dhe përmban një dendësi të lartë ndërtesash rezidenciale dhe strukturash hotelerie në zhvillim. Dokumenti kërkon që projekti të përcaktojë edhe mënyrën e shkarkimit të ujërave të trajtuara në detin Jon ose në përroin e Drimadhes, duke përfshirë analizën e përhapjes dhe hollimit të tyre në mjedis.
Konsulenti duhet të përgatisë projektin paraprak, projektin e zbatimit, preventivin, analizën kosto–përfitim dhe dokumentacionin mjedisor e teknik të nevojshëm për tenderimin e punimeve. Afati i parashikuar për realizimin e shërbimit është tetë muaj, i ndarë ndërmjet projektidesë paraprake, projektidesë përfundimtare, projektit të zbatimit dhe preventivit final./ N.Maho



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.