Koncerti i Kanye West/Reagon Edi Rama: Shteti ka dhënë vetëm 4 mln euro, reklamohet imazhi i Shqipërisë në botë
Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj akuzave që pretendojnë se shteti ka shpenzuar 50 milionë euro për koncertin e Kanye West, duke i cilësuar ato si shpifje të qëllimshme.
Rama sqaroi se kontributi financiar i shtetit është vetëm 4 milionë euro, ndërsa eventi financohet kryesisht nga sponsorët dhe shitja e biletave.
Rama theksoi se qeveria fillimisht ka firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritëse, duke garantuar siguri dhe mbështetje logjistike pa asnjë angazhim financiar.
“Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar përveç mikpritjes sigurisht, siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar! Por si i bëhet kur je i detyruar “in extremis”, të ndërhysh siç bëmë faktikisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë, në radhë të parë para atyre dhjetëra mijëra blerësve të huaj të biletave, të cilët janë më shumë sesa tifozët e huaj që erdhën në Tiranë për finalen e Conference League”, u shpreh Rama.
Kryeministri argumentoi se koncerti, i cili do të zhvillohet më 11 korrik, pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për kryeqytetin, duke tërhequr dhjetëra mijëra vizitorë të huaj.
Ai e krahasoi me finalen e Conference League, duke theksuar se përfitimet do të jenë “të jashtëzakonshme”, përfshirë reklamimin global të Shqipërisë.
“Përfitimet nga ajo ngjarje ndërkombëtare sporti ishin të jashtëzakonshme dhe të jashtëzakonshme do të jenë edhe përfitimet nga kjo ngjarje ndërkombëtare muzike. Edhe pse për hir të vërtetës do të preferonim të mos paguanim asnjë qindarkë deri në fund, shuma që dhamë për një aktivitet, pra 4 dhe jo 50 dhe të organizuar krejtësisht privatisht, i cili do t’i kthejë ekonomisë së kryeqytetit shumëfishin e kësaj shume, dhjetëra mijëra konsumatorë të huaj, pa llogaritur vlerën e reklamimit global të emrit të Shqipërisë në një nga komunitetet më të mëdha kulturore të botës, është një shumë mëse e arsyeshme. Mund ta kishim dhënë dhe qysh në krye të herës po të ishte nevoja, por u detyruam dhe tani shikoni si vazhdon gënjeshtra bishtakrep!”, nënvizoi Rama.
Rama akuzoi kritikët se po përhapin dezinformacion për të dekurajuar blerjen e biletave dhe për ta kthyer eventin në protestë.
“Problemi nuk janë flamingot. Problemi janë sorrat dhe korbat!”, tha ai, duke kritikuar “dështakzemërakët e bashkuar” që përdorin shpifje, sharje dhe manipulime.
“Problemi nuk është ushtrimi i lirisë së protestës. Nuk është as gjallërimi demokratik i shoqërisë përmes protestës. Problemi është kur protesta ushqehet me shpifje, me dezinformim dhe me manipulim dhe kur kthehet në një mjet për ta kthyer vendin mbrapa. Prandaj problemi nuk janë flamingot. Problemi janë sorrat dhe korbat!”, përfundon kryeministri Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.