Kontrollet në Eurotunnel do të bëhen pa zbritur nga makina, pas marrëveshjes mes Getlink dhe Komisionit Evropian
Kontrollet e pasaportave dhe të shenjave të gishtave në stil aeroporti do të futen në Eurotunnel, në përpjekje për të parandaluar atë që drejtuesit e tunelit e quajnë kaos afatshkurtër dhe afatgjatë në Folkestone dhe në Calais, siç njofton The Guardian. Komisioni Evropian ka rënë dakord për një sistem të ri, ku një sistem kamerash i quajtur “eagle eye”, i përdorur tashmë në aeroportet e Romës dhe të Parisit për të mbikëqyrur marrjen e shenjave të gishtave dhe imazhin e fytyrës, do të përdoret në kufirin mes Britanisë së Madhe dhe Francës.
Yann Leriche, drejtori ekzekutiv i Getlink, kompanisë pronare të Eurotunnel, tha se kompania është përpjekur të kopjojë “përvojën e aeroportit”, por ka dashur të shkojë edhe më tej. Në vend që të zbresin nga makina dhe t’u merren të dhënat biometrike në një godinë terminali, pushuesit dhe udhëtarët e biznesit do të priten nga terminale drive-through në Folkestone dhe në Calais, ku çdo makinë ndalet te një kioskë e vetme me dy stenda, njëra për leximin e pasaportës dhe tjetra për shenjat e gishtave dhe imazhin e fytyrës.
Të dyja anët janë pajisur tashmë me 120 kioska nën mbikëqyrjen e kamerave “eagle eye”, të cilat do të monitorohen nga policia, ngjashëm me portat elektronike në aeroporte, ku policia nuk është fizikisht e pranishme te çdo portë. Prova do të zgjasë dy vjet, por Eurotunnel shpreson që eksperimenti të bëhet i përhershëm. Në javët e ardhshme, Leriche do të takohet me autoritetet britanike dhe franceze për t’u paraqitur një propozim prej 40 faqesh, që Eurotunnel të bëhet një “laborator” për një “kufi inteligjent”, duke përdorur teknologji të reja dhe përvoja nga Shtetet e Bashkuara dhe Singapori.
Sistemi i ri lidhet me sistemin evropian të hyrje-daljeve (EES), i cili u kërkon të gjithë shtetasve të vendeve të treta, përfshirë mbajtësit e pasaportave britanike, të japin shenjat e gishtave dhe imazhin e fytyrës sa herë hyjnë ose dalin nga zona Schengen, por që është vonuar prej vitesh. EES duhej të ishte aktiv në gjithë Bashkimin Evropian deri më 9 shtator, por nëntë nga 27 shtetet anëtare, përfshirë Francën, nuk e kanë vënë ende plotësisht në funksion për shkak të problemeve teknike të vazhdueshme.
Leriche pranoi se nuk e di kur Franca do ta vërë sistemin në funksion te tuneli: kioskat, sipas tij, mund të punojnë, por lidhja e tyre me sistemin francez ende nuk funksionon. Këtë javë u bë e ditur gjithashtu se Bashkimi Evropian ka ngritur padi kundër IBM-së dhe dy kompanive të tjera të përfshira në zbatimin e EES-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.