Kryeministri Edi Rama në Forumin Botëror FII: Europa ka nevojë për vizion të përbashkët politik
Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Forumin Botëror Future Investment Initiative (FII) që po zhvillohet në Romë, Itali, ku gjatë një bashkëbisedimi me gazetaren e CNN, Eleni Giokos, foli për rolin e Europës dhe sfidat e saj politike.
Rama theksoi se problemi kryesor i kontinentit lidhet me mungesën e kohezionit politik dhe aftësisë për vendimmarrje të përbashkët.
Sipas tij, Europa po përballet me sfida të mëdha politike, të lidhura kryesisht me aftësinë për të marrë vendime të përbashkëta, ndërsa vlerësoi BE si projektin më të jashtëzakonshëm të njerëzimit.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama tha se Shqipëria gëzon marrëdhënie shumë të mira me vendet e Lindjes së Mesme, me përjashtim të regjimit iranian.
Giokos e pyeti Ramën lidhur me ngushticën e Hormuzit dhe ndërhyrjen e fuqive europiane. Kryeministri u përgjigj duke theksuar, se “Dëgjoni, më kërkuat të vij këtu si një prej kampionëve të turizmit dhe në fakt doja vërtet shumë që të përqendrohesha tek ana e shndritshme e jetës. Ngushtica e Hormuzit është për këta djemtë këtu dhe për disa të tjerë… dhe për ca të tjerë të mëdhenj. Ndërkohë që kur bëhet fjalë për ne, Shqipëria, ne jemi miq shumë të mirë me të gjithë në Lindjen e Mesme, me përjashtim të regjimit kriminal të Teheranit. Kështu që urojmë më të mirën sidomos për vëllezërit tanë në vendet e Gjirit.”
Mw tej, Rama shtoi , “Po mendoja në ç’hotel me 5 yje në Arabinë Saudite, Katar apo në Shqipëri do të të jepnin një shishe të tillë pa gotë dhe do të thonin ‘mirë se erdhe në konferencën tonë’. Kështu po sillet së fundmi Europa për inerci, në një inerci që thotë: ‘i kemi të gjitha. Nuk na mungon asgjë. Ne do të jemi gjithmonë të mëdhenj pavarësisht ç’ndodh’, dhe në të njëjtën kohë, po humb pikërisht atë që të tjerët po e arrijnë me hapa të mëdhenj.”
Kryeministri Edi Rama u shpreh se sfida më e madhe e Europës sot lidhet me kohezionin politik.
“Unë mendoj që kur bëhet fjalë për Europën dhe rolin e saj, gjithçka thuhet me shumë qartësi: çfarë mungon, çfarë ka pasur Europa. Por ka një gjë që në fakt është problemi numër 1 i Europës dhe që Europa nuk po ia del ta trajtojë, që është politika. Kapaciteti për të pasur një vizion të përbashkët, aftësia për të marrë vendime të përbashkëta, aftësia për të zbatuar në kohë gjithçka që është vendosur.”
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetaren e CNN, Eleni Giokos, kryeministri Edi Rama foli për marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe sfidat e kontinentit. I pyetur nëse kritikat e tij ndaj dobësive të Europës harmonizohen me synimet e Shqipërisë si vend kandidat, Rama u shpreh: “Dëgjoni, fola për Europën dhe flas për Europën si një europian shumë i bindur, sepse mendoj që Bashkimi Europian është imagjinata më e mrekullueshme, më e mahnitshme e më guximshme e njerëzimit kur bëhet fjalë për politikën. Është një projekt i mrekullueshëm, projekti më i mrekullueshëm politik që është krijuar ndonjëherë nga njerëzimi dhe potenciali është absolutisht i jashtëzakonshëm.”
Ai shtoi se pavarësisht problemeve, Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj integrimit europian: “Patjetër që ka probleme në Europë, por unë them gjithmonë që ne jemi të dashuruar me Europën. Ne duam ‘të martohemi’ me Europën sepse është vendi i duhur për të qenë. Do t’ia arrijmë pavarësisht gjithçkaje dhe herët më shumë se vonë.”
Gazetarja e CNN e krahasoi këtë me një “fejesë të gjatë”, por Rama e përshkroi me humor marrëdhënien e Shqipërisë me BE-në: “Nuk kemi qenë të fejuar për një kohë të gjatë. Kemi qenë të dashuruar për një kohë të gjatë si Romeo nën dritaret e mbyllura të Zhulietës, dhe Zhulieta pastaj doli. Po pastaj prindërit e Zhulietës na thanë: ‘Mirë, je i mirë, po e mendojmë njëherë. Një ditë do mendojmë të fillojmë e të flasim.’ Kështu që ne luftuam që të fillonim të flisnim. Tani po flasim dhe, ndërkohë që flasim pas tyre, shpresoj që do të martohemi.”
Rama foli për situatën politike në Evropë dhe problematikat me të cilat duhet të përballet sot si dhe nevojën për integrim në familjen e madhe evropiane.
“Kapaciteti për të pasur një vizion të përbashkët. Është e trishtë se si Europa është brenda dhe jashtë. Është për një krizë të madhe pas Luftës së Dytë Botërore. Por Europa nuk flet me Rusinë. Kjo është një problem me të cilin Europa duhet të përballet. Mendoj se Bashkimi Europian është imagjinata më e bukur dhe më e guximshme. Është projekti më i mirë i krijuar ndonjëherë nga njerëzimi. Ne duam të martohemi me Europën. Por ne nuk duam të jemi të fiksuar pas saj”, tha Rama.
Lajmi në zhvillim..




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.