Lufta për pushtet, kush janë rivalët që synojnë postin e Keir Starmer
E ardhmja politike e kryeministrit britanik varet në një fije peri, pasi ministrja e Brendshme, disa ministra dhe më shumë se 80 deputetë kanë kërkuar largimin e tij. Nëse jo menjëherë, atëherë në të ardhmen e afërt.
Megjithatë, siç shkruan BBC, mes deputetëve laburistë nuk ka një dakordësi se kush duhet ta zëvendësojë Keir Starmer-in si lider të Partisë Laburiste dhe të vendit.
Këtë të martë, kryeministri britanik i tha kabinetit se do të “vazhdojë të qeverisë” dhe se nuk kishte nisur asnjë garë për lidershipin.
Pra, edhe pse askush nuk ka deklaruar publikisht se dëshiron ta marrë drejtimin, ja disa kandidatë të mundshëm.
Wes StreetingWes Streeting është ministër i Shëndetësisë që prej ardhjes së laburistëve në pushtet në vitin 2024 dhe kishte mbajtur të njëjtin post në ‘kabinetin hije’ për tre vite më parë.
Ai u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 2015, pasi kishte shërbyer si president i Unionit Kombëtar të Studentëve dhe si këshilltar në Londër.
Në autobiografinë e tij të vitit 2023, ai shkroi për fëmijërinë që kishte kaluar në një apartament social në lindje të Londrës, për vizitat në burg te gjyshi i tij grabitës bankash dhe jetën si një i krishterë homoseksual.
Sekretari i Shëndetësisë konsiderohet si komunikuesi më i mirë i kabinetit dhe mund të përmendë uljen e listave të pritjes në NHS (Shërbimin Kombëtar Shëndetësor Britanik) si një nga arritjet e tij në qeveri.
Ai ka qenë i hapur më parë për ambiciet e tij për lidership dhe gëzon mbështetje të madhe nga deputetët laburistë, veçanërisht nga qendra dhe krahu i djathtë i partisë.
Aleatët e tij në kabinet përfshijnë ministrin e Biznesit, Peter Kyle dhe ministren e Shkencës, Liz Kendall.
Por statusi i tij si kandidat i “krahut të djathtë” mund ta bëjë jo shumë popullor mes anëtarëve të partisë, të cilët zakonisht janë më majtas se grupi parlamentar.
Andy BurnhamAndy Burnham ka mbështetje të fortë nga deputetët laburistë dhe sondazhet tregojnë se ai është politikani laburist më popullor mes votuesve.
Ai ka gjithashtu një përvojë të gjatë në drejtim, pasi ka shërbyer si kryetar i Greater Manchester për pothuajse një dekadë, duke fituar nofkën “Mbreti i Veriut”.
Burnham nuk e ka fshehur ambicien për postin më të lartë. Megjithatë, ekziston një pengesë e madhe për të: ai aktualisht nuk është deputet. Aleatët e tij shpresojnë që kjo të ndryshojë shpejt.
Ai aplikoi për të qenë kandidati laburist në zgjedhjet e pjesshme në Gorton dhe Denton më herët këtë vit, por u bllokua nga aleatët e Starmer-it në strukturat drejtuese të partisë.
Nëse rikthehet në Parlament, kjo do të ishte hera e dytë për të në Westminster.
Nga viti 2001 deri në 2017 ai ishte deputet për Leigh dhe gjatë kësaj kohe mbajti poste të rëndësishme qeveritare, përfshirë në shëndetësi dhe kulturë.
52-vjeçari ka garuar dy herë për drejtimin e partisë: në vitin 2010 humbi ndaj Ed Miliband dhe në vitin 2015 doli i dyti pas Jeremy Corbyn.
Shumica e mbështetjes së tij në Parlament vjen nga krahu i majtë i partisë dhe deputetët e Anglisë Veriperëndimore.
Zëvendësja e Laburistëve Lucy Powell dhe ministrja e Kulturës Lisa Nandy konsiderohen aleate të tij.
Angela RaynerAngela Rayner ishte deri vitin e kaluar zëvendëskryeministre dhe gruaja më e fuqishme në politikën britanike.
Rruga e saj ka qenë e jashtëzakonshme: ajo u rrit në varfëri dhe e la shkollën në moshën 16-vjeçare pa asnjë diplomë.
Përmes punës si kujdestare sociale, ajo u përfshi në sindikatën Unison, që u bë trampolina e saj drejt politikës.
Në vitin 2015 ajo u zgjodh deputete në Ashton-under-Lyne të Greater Manchester dhe u ngjit shpejt në Westminster, duke shërbyer në ‘kabinetin hije’ të Jeremy Corbyn.
Në qeveri, ajo mori postin e Sekretares së Strehimit dhe u ngarkua me detyrën për rritjen e numrit të ndërtimit të banesave dhe reformën e të drejtave të qiramarrësve.
Në vitin 2025 ajo dha dorëheqjen në mënyrë dramatike pasi pranoi se nuk kishte paguar mjaftueshëm taksa për blerjen e një shtëpie të re.
Ashtu si dy kandidatët e tjerë kryesorë, Rayner ka mbështetje të fortë mes deputetëve laburistë, por si politikane e majtë nga Greater Manchester, baza e saj mbivendoset me atë të Burnham-it.
Ajo ende pret rezultatin e një hetimi tatimor për blerjen e shtëpisë, gjë që mund ta komplikojë një fushatë të menjëhershme për lidershipin.
Po të tjerët?Me pikëpyetjet që rrethojnë tre kandidatët kryesorë, është e mundur që të dalë një kandidat i papritur. Disa deputetë laburistë kanë diskutuar rikthimin e ish-liderit dhe ministrit aktual të Energjisë, Ed Miliband.
Por ai e hodhi poshtë këtë ide në nëntor, duke i thënë BBC-së: “E kam kaluar atë fazë. Ai kapitull është mbyllur.”
Edhe ministrja e Brendshme Shabana Mahmood është përmendur si kandidate e mundshme.
Megjithatë, ndryshimet e saj në politikat e emigracionit kanë shkaktuar polemika brenda partisë dhe mund ta kenë të vështirë të fitojë mbështetjen e anëtarësisë.
Sipas rregullave të partisë, asgjë nuk e ndalon vetë Keir Starmer-in të garojë në një zgjedhje për lidershipin, dhe të hënën ai u tha gazetarëve se do ta bënte këtë, nëse do të hapej një garë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.