Megan Fox surprizon fansat me platformën e re: “Një thriller erotik neo-noir”

Megan Fox po u ofron fansave një mënyrë të re për të hyrë në botën e saj private. Aktorja ka lançuar faqen e saj me përmbajtje ekskluzive me pagesë, ku premton foto, video dhe momente personale që nuk do të publikohen askund tjetër.
Faqja, e quajtur meganfox.world, u lançua të premten në platformën Subs.com. Ajo u ofron fansave mundësinë të shohin përmbajtje ekskluzive, të ndjekin momente të kapura nga telefoni i aktores dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me të, duke zbuluar një anë më personale të yllit të Hollywood-it.
“Për dekada me radhë, grave u është thënë se të qenit në qendër të vëmendjes është pushtet, ndërkohë që dikush tjetër zotëron platformën, audiencën ose imazhin e tyre. Më intereson të shoh se çfarë ndodh kur gratë i zotërojnë të tria”, deklaroi Fox, 40 vjeçe, në një njoftim për shtyp.
Sipas një burimi për Page Six, faqja tërhoqi aq shumë vizitorë që në momentet e para, saqë pati probleme teknike dhe u bllokua disa herë gjatë ditës së lançimit.
Por projekti i ri nuk do të kufizohet vetëm te publikimi i përmbajtjeve ekskluzive. Fox do të jetë gjithashtu bashkëpronare e Subs.com, platformës që u bashkëthemelua nga Tim Stokely, një prej njerëzve që qëndrojnë pas krijimit të OnlyFans.
“Megani e kupton këtë ndryshim nga një këndvështrim që shumë pak njerëz mund ta kuptojnë. Ajo u bë e famshme në të gjithë botën në një kohë kur artistët nuk kishin mjetet për të kontrolluar audiencën e tyre apo mënyrën se si shpërndahej përmbajtja e tyre”, tha Stokely.
Ai shtoi se Fox nuk po hap thjesht një faqe në platformë, por do të ketë rol edhe në zhvillimin e saj.
Aktorja e njoftoi vetë projektin përmes Instagramit, ku publikoi disa foto dhe video të reja. Në njërën prej tyre, ajo shfaqet me bikini metalike teksa freskohet në pishinë. Fox e përshkroi serinë e imazheve si një “thriller erotik neo-noir” dhe u kërkoi ndjekësve të kontrollonin historitë e saj për të gjetur linkun drejt faqes së re.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.