Nata e dytë e Champions League, zbresin në fushë PSG, Arsenal, Barcelona dhe Liverpool
Këtë të mërkurë, të tjera pesha të rënda do të zbresin në fushën e lojës për sfidat e raundit të parë të Ligës së Kampioneve.
Napoli-Arsenal është një prej supersfidave e rezervuara për t’u luajtur në mbrëmjen e sotme, një ndeshje kjo që do të transmetohet në ekranin e Top Channel në orën 21:00.
Misioni i skuadrës së Massimiliano Allegrit është të frenojë hemoragjinë e rezultateve negative dhe do të besojë te mbështetja e ‘Maradona Stadium’ për sfidën me kampionët e Anglisë, Arsenalin. Por në këtë përballje me nënkampionët e Evropës, Napoli vjen me emergjenca dhe trajneri Allegri është i detyruar të hedhë në fushën e lojës një mesfushë krejtësisht të modifikuar.
Në vend të McTominay do të luajë De Bruyne, ndërsa në vend të Anguissa do t’i takojë Gilmour të japë kontributin e tij. Në qendër do të jetë Lobotka, ndërsa treshja ofensive formohet nga Politano, Hojlund dhe Alisson Santos. Mbrojtja, do të jetë ajo e dy ndeshjeve të fundit me Di Lorenzon dhe Olivera në krahë, Rrahmani në qendër me Rafa Marin.
Nga ana tjetër Arsenali vjen pas një problemi me fluturimin duke mbetur i bllokuar gjatë në Londër për shkak të problemeve me aeroportet angleze. Sezonin e kaluar Arsenali e mbylli fazën e Ligës me pikë të plota dhe tani Napoli ka detyrën për të ndërprerë këtë seri fantastike rezultatesh.
Por sytë do të jenë edhe në Anfield ku Liverpool do të presë Atletico Madrid. Liverpooli bëri sërish shpenzime të mëdha dhe vjen në këtë përballje pas 2 barazimeve dhe 1 fitoreje në 3 ndeshjet e para të Premier League.
Atletico Madrid, që gjatë muajve të verës më shumë u vu në qendër të vëmendjes për çështjen Julian Alvarez, ka 7 pikë pas 4 ndeshjeve të para në La Liga, por Los Colchoneros vijnë në këtë përballje me hijen e humbjes së rëndë të pësuar ndaj Athletic Bilbaos.
Po sonte në mbrëmje do të nisë mbrojtjen e titullit evropian Paris Saint Germaini. Skuadra e Luis Enrique do të përballet me Slovan Bratislava, një sfidë që në letër duket e lehtë për parizienët. Por starti i sezonit në Ligue 1 nuk ka qenë aspak i mirë për transalpinët edhe pse Luis Enrique pohoi se nuk është i shqetësuar për atë çfarë po ndodh në këtë fillim sezoni me skuadrën e tij.
Por ajo që do të zbresë e para në fushën e lojës këtë të mërkurë është Barcelona që do të presë në Camp Nou, Feyenoordin. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick është shfaqur perfekte në 4 javët para të La Liga që e kryeson me 12 pikë të plota dhe me një bilanc me 17 gola të shënuar dhe 2 të pësuar.
Në ndeshjen me Feyenoordin, blaugranat shfaqen favoritë për të fituar por Champions League është i paparashikueshëm. Ndeshjet e tjera që janë programuar që të luhen këtë të mërkurë, janë Stuttgart-Viking që do të luhet në 18:45 dhe Sporting-Galatasaray.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.