Nuk lejuan punonjëset të merrnin pjesë në një vizitë, kreu i Kullës Eiffel largohet nga detyra pas reagimeve
Kompania që administron Kullën Eiffel njoftoi të martën se drejtori i saj do të largohet nga detyra në fund të këtij viti, pas një konflikti të shkaktuar nga largimi i punonjeseve gjatë vizitës së një grupi fetar hindu.
Patrick Branco Ruivo, i cili ka qenë drejtor i përgjithshëm i monumentit parisien që prej vitit 2018, do të largohet nga detyra në fund të vitit, pasi një hetim i brendshëm zbuloi se “mangësitë dhe problemet operacionale” në organizimin e vizitës çuan në “largimin e papranueshëm” të punonjëseve gra, bëri të ditur kompania SETE në një deklaratë.
Largimi i punonjëseve gjatë vizitës së lëvizjes shpirtërore hindu Bochasanwasi Akshar Purushottam Swaminarayan Sanstha, më 5 shtator, shkaktoi një protestë të punonjësve dhe mbylljen e monumentit për një ditë.
Në atë kohë, SETE pranoi se delegacioni hindu kishte kërkuar që vizita të organizohej në mënyrë të tillë që të kufizoheshin “ndërveprimet me gratë”, duke theksuar se “këto kushte nuk duhej të ishin pranuar”.
“Muajt e ardhshëm do të na mundësojnë të përgatisim kalimin e drejtimit në kushtet më të mira të mundshme”, tha Ariel Weil, kryetar i bordit drejtues të SETE.
Ai tha se kishte kërkuar krijimin e një “departamenti të posaçëm për protokollet”, si dhe zbatimin e një sërë masash dhe programesh të reja trajnimi për promovimin e barazisë gjinore.
Kryetari socialist i Parisit, Emmanuel Gregoire, e kishte cilësuar largimin e punonjëseve gra si një “vendim absurd, të padrejtë dhe të papranueshëm” dhe kishte urdhëruar zhvillimin e dy hetimeve të veçanta.
Punonjësit e Kullës Eiffel thanë në një deklaratë se u ishin dhënë udhëzime që çuan në “mënjanimin, zëvendësimin dhe bërjen të padukshme të punonjëseve gra për shkak të seksit të tyre “ gjatë vizitës së delegacionit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.