PAKISTAN – Sulm me bombë në një xhami, të paktën 27 të vrarë
– Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 80 të tjerë janë plagosur në një sulm me bombë, pranë një xhamie brenda një kompleksi policor në qytetin Kohat, në provincën Khyber Pakhtunkhwa, në veriperëndim të Pakistanit, sipas “Reuters”.
Sulmi ndodhi gjatë faljes së së premtes, kur një automjet i mbushur me eksplozivë shpërtheu pranë xhamisë në Kompleksin e Vjetër të Policisë, ku ndodhen edhe zyra të policisë dhe njësive kundër terrorizmit.
Sipas policisë, shpërthimi u pasua nga një përleshje me armë brenda kompleksit.
Mes viktimave janë 15 efektivë policie, ndërsa bilanci i të plagosurve është ende në rritje.
Një zyrtar shëndetësor në Kohat, tha se 103 persona ishin plagosur, përfshirë 73 policë dhe 30 civilë.
Policia tha se sulmi nisi kur një automjet i mbushur me eksplozivë, shpërtheu pranë murit rrethues të kompleksit.
Më pas, disa persona të armatosur tentuan të hynin në ndërtesat e policisë dhe u përfshinë në shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë.
Sipas policisë, gjashtë sulmues, përfshirë një kamikaz, u vranë, ndërsa një tjetër sulmues u rrethua brenda kompleksit dhe operacioni për neutralizimin e tij vijoi.
Kohat ndodhet në provincën Khyber Pakhtunkhwa, pranë kufirit me Afganistanin, një zonë ku gjatë muajve të fundit janë shtuar sulmet e grupeve militante ndaj forcave të sigurisë.
Përgjegjësia për sulmin mbetet e paqartë. “Reuters” raportoi se Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP) e mohoi përfshirjen, ndërsa “Al Jazeera” raportoi se një fraksion i lidhur me TTP-në pretendoi përgjegjësinë.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif dënoi sulmin dhe urdhëroi autoritetet të përshpejtojnë operacionet e shpëtimit dhe trajtimin e të plagosurve.
Ministria e Brendshme tha se sulmi nuk do të dobësonte vendosmërinë e vendit për të luftuar terrorizmin.
Ngjarja ndodhi një ditë pasi një shpërthim në rrugë në qarkun fqinj Hangu, vrau gjashtë ushtarë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.