Pas manipulimit të votave, KQZ me mekanizëm për kontrollin e fletëvotimeve
Deri në 10% të vendvotimeve do të rinumërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që ato mbahen, për t’u siguruar që numëruesit e votave kanë evidentuar me saktësi rezultatin e fletëvotimeve.
Deri në 10% të vendvotimeve do të rinumërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të ardhshme, kurdo që ato mbahen, për t’u siguruar që numëruesit e votave kanë evidentuar me saktësi rezultatin e fletëvotimeve.
Ky mekanizëm kontrolli është miratuar me urgjencë dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dy ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, dështimi i të cilit do të çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, procesi zgjedhor u ballafaquar me parregullsi në numërim të votave të kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress, se mekanizmi i kontrollit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë është ideuar për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë masa konkrete përmes përmirësimit të kornizës rregullative. Në akte nënligjore është paraparë një mekanizëm shtesë kontrolli i procesit të numërimit të fletëvotimeve. Konkretisht, është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë rinumërimin e votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme”, tha Elezi.
Sipas Elezit, parashikimi i rinumërimit të një përqindjeje të caktuar të vendvotimeve, ka për qëllim të shtojë kujdesin e KQZ-së në rezultatet e zgjedhjeve.
Siç potencoi ai dëmtimi i kredibilitetit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, e ka bërë të domosdoshëm një mekanizëm të tillë.
“Vlerësojmë se ky mekanizëm ka për qëllim të shtojë kujdesin dhe besueshmërinë në rezultatet e zgjedhjeve. Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura në fund të dhjetorit, gjatë procesit të numërimit në disa Qendra Komunale të Numërimit ishin evidentuar pasaktësi në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe për të siguruar rezultate të sakta, KQZ me vetiniciativë vendosi të rinumërojë të gjitha fletëvotimet nga të gjitha vendvotimet. Përveç ndikimit në kredibilitetin e procesit, kjo ndikoi në koston e zgjedhjeve, por edhe vonesa në shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare, andaj, këto rrethana e kanë bërë të domosdoshme krijimin e një mekanizmi të tillë për kontrollimin dhe verifikimin e rezultateve”, shpjegoi Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi sqaroi se mekanizmi për numërimin e 10% të vendvotimeve tashmë është në fuqi dhe do të zbatohet nga procesi i ardhshëm zgjedhor.
“Ky mekanizëm do të jetë i zbatueshëm në procesin e ardhshëm zgjedhor, pavarësisht kohës së mbajtjes së tij. Pra, kjo masë është miratuar nga KQZ, ka hyrë në fuqi dhe do të zbatohet në zgjedhjet e radhës”, tha Elezi.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, KQZ kishte zbuluar disa raste të mosevidentimit të saktë të votave të kandidatëve për deputetë dhe këto dyshime çuan në vendimin për rinumërimin e 2,557 vendvotimeve.
Gjatë rinumërimit që u bë me qëllim të korrektimit të rezultateve, mijëra vota u janë larguar kandidatëve të caktuar dhe mijëra të tjera u janë shtuar kandidatëve të tjerë, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në Qendra Komunale të Numërimit.
Ndërsa, edhe një numër i madh i komisionerëve dhe pjesëtarëve të tjerë u intervistuan edhe ndaluan nga organet përgjegjëse. /KP/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.