Paunović pas humbjes ndaj Greqisë: “E marr përsipër fajin, na duhen rezultate më të mira”
Selektori i Serbisë foli pas disfatës 1:2 ndaj Greqisë në "Rajko Mitić" – shpjegoi zgjedhjet e formacionit, u ndal te fusha e butë e stadiumit dhe paralajmëroi sfidën ndaj Holandës.
Selektori i Serbisë, Veljko Paunović, nuk ka kërkuar justifikime pas humbjes 1:2 ndaj Greqisë në startin e Ligës së Kombeve në stadiumin “Rajko Mitić”. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ai e mori plotësisht përsipër përgjegjësinë për disfatën, duke pranuar se skuadra mbeti e hapur mbrapa pasi ai vetë i kishte shtyrë lojtarët të sulmonin për fitore.
“Faji është i imi, sepse u thashë lojtarëve: ‘Shkojmë përpara, shkojmë për fitore’ dhe në atë moment mbetëm pak të hapur mbrapa,” tha Paunović. “Humbja është e dhimbshme për disa arsye. Greqia është një kundërshtar i jashtëzakonshëm dhe nuk më ka befasuar.” Ai tha gjithashtu se ishte i kënaqur me tifozët që erdhën në stadium, por e kupton që ekipi duhet të krijojë rezultate më të mira për të tërhequr më shumë publik.
Selektori shpjegoi se adaptimi në terren ishte i vështirë në pjesën e parë – fusha ishte shumë më e butë se baza stërvitore në Stara Pazova, gjë që u dha grekëve avantazh në shpejtësi dhe topat e dytë. “Nuk është justifikim, por një rrethanë që e vumë re,” tha ai, duke shtuar se e ka anuluar stërvitjen para ndeshjes ndaj Holandës për shkak të udhëtimit dhe trafikut.
Paunović sqaroi edhe zgjedhjen e mbrojtësve anësorë: edhe pse kishte thirrur Nikolićin dhe Nedeljkovićin, zgjodhi një variant tjetër, sepse sipas tij të dy “duhet të ngrenë edhe pak nivelin” për të qenë pjesë e ekipit. Ai lavdëroi paraqitjen e Terzićit, si dhe dyshen Kostić–Tadić në krahun e majtë – “luftojnë njëri për tjetrin” – dhe tha se dëshiron më shumë tandemë të tillë në pozicione të ndryshme të fushës.
Ai u shpreh i keqardhur që hoqi Mihajlo Cvetkovićin në pushim, duke shpjeguar se skuadra kishte nevojë për eksperiencë në mesfushë, por shtoi se është “thellësisht i bindur” se Cvetkovići është e ardhmja e futbollit serb. Për Tadićin, Paunović tha: “Ndikimi i tij është i jashtëzakonshëm – lider, njeri me eksperiencë, mbi të gjitha njeri i mirë; kjo i kalon edhe lojtarëve në zhveshtore dhe na jep siguri në çdo moment.”
“Kur shënuam golin, i thashë menjëherë asistentit: ‘Jini gati, vjen reagimi i grekëve.’ Ne i zgjuam plotësisht,” rrëfeu Paunović, duke pranuar se Serbia u dha grekëve shumë shpejt territore që nuk duhet t’ua kishte dhënë kurrë. Tani sytë janë nga sfida ndaj Holandës: “Duhet të jemi më të mirë me topin dhe ta mbajmë presionin shumë më larg portës sonë.”
Burimi: Mozzart Sport



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.