Pesë të arrestuar për krime lufte në Reçak, dyshohet se ishin pjesë e njësive speciale serbe
Pesë persona janë arrestuar të dielën gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”. Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.
Gjatë operacionit janë realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione, ndërsa një person i gjashtë i dyshuar nuk është gjetur në vendbanimin e tij dhe nuk është arrestuar. Në një konferencë për media, Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb dhe ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Katër prej tyre janë pensionistë, ndërsa njëri vazhdon të punojë në shërbimet postare në Serbi. Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të dyshuarit është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Dheu i Bardhë në orët e para të mëngjesit, ndërsa katër të tjerët në lokacione të ndryshme në Kosovë.
Gjatë kontrolleve, autoritetet thanë se kanë sekuestruar dokumente, uniforma, pajisje policore dhe materiale të tjera që konsiderohen relevante për hetimin. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe AKI-në për aksionin, duke shkruar në Facebook se krimet e luftës nuk do të mbeten pa ndëshkim dhe se ndjekja e përgjegjësve do të vazhdojë pa kompromis. Aksioni ka nxitur edhe reagimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e pushtetit në Beograd, e cila tha se bëhet fjalë për një “valë të re të frikësimit dhe përndjekjes së serbëve në Shtërpcë dhe Gjilan përmes arrestimeve të pabazuara”, me qëllim të “krijimit të një atmosfere frike, pasigurie dhe presioni shtesë ndaj popullit serb”. “Ajo që po shohim është dhunë e pastër institucionale dhe presion i motivuar politik ndaj popullit serb. Prishtina tash e disa vite, përmes veprimeve të tilla, ka tentuar të ndërtojë një narrativë të rrezikshme, sipas së cilës çdo serb që ka qenë në moshë madhore në vitin 1999 mund të akuzohet pa asnjë bazë për veprat më të rënda penale”, tha Lista Serbe në një postim në Facebook.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.