Pr.ligji për turizmin/ Qeveria mund të pezullojë me VKM ndërtimet në sezon, gjobë deri në 2 mln lekë shkelësve
Qeveria do të ketë të drejtën që përmes një VKM-je të pezullojë ndërtimet në zonat turistike, për të garantuar zhvillimin e qetë të sezonit turistik. Sanksionimi pritet të vendoset në ligjin për ‘Turizmin”, ndryshimet e të cilit janë depozituar në Kuvend nga kreu i grupit socialist Taulant Balla.
PS, e cila në seancën e kaluar vendosi edhe shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji, thotë se përmes VKM-së së pezullimit duhet të përcaktohen zonat konkrete, llojet e punimeve që ndalohet gjatë sezonit dhe periudhën e saktë apo oraret e ndalimit.
Koha e pezullimit nuk do t’u humbasë subjekteve ndërtuese, pasi do t’i shtohet afatit të lejes së ndërtimit. Kjo do të vlejë edhe për lejet e dhëna përpara hyrjes në fuqi të ligjit. Kushdo që e shkel pezullimin mund të përballet me gjoba deri në 20 mijë euro.
Gjithashtu me propozim të ministrit përgjegjës për turizmin, Këshilli i Ministrave mund të ndryshojë institucionin përgjegjës për administrimin e një zone me përparësi zhvillimin e turizmit. Kjo mund të bëhet për projekte ose investime që cilësohen me interes publik apo rëndësi kombëtare.
Balla propozon që çdo subjekt që kërkon të ndërtojë një hotel apo strukturë tjetër akomoduese duhet të marrë fillimisht një certifikatë paraprake kategorizimi. Pa këtë dokument nuk mund të miratohet leja e ndërtimit.
Synimi është që objekti të projektohet dhe ndërtohet që në fillim sipas standardeve të kategorisë turistike që synon, dhe jo të nisë për pallat dhe të përfundojë në hotel.
Sipas propozimit lista e kategorive të strukturave akomoduese nuk do të përcaktohet më drejtpërdrejt në ligj. Kategoritë, klasifikimet dhe kriteret përkatëse do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke i dhënë qeverisë mundësi t’i ndryshojë pa ndërhyrë sërish në ligj. Për shembull yjet e hoteleve tanimë do të përcaktohen me vendim të këshillit të ministrave.
Hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese duhet të regjistrojnë elektronikisht klientët. Të dhënat do të përfshijnë numrin e vizitorëve, netët e qëndrimet, shtetësinë dhe rezidencën, gjininë dhe moshën.
Subjektet që administrojnë stacione plazhi duhet të sigurojnë akses të lirë dhe të pandërprerë të publikut drejt detit, përgjatë vijës bregdetare dhe ndërmjet plazheve publike. Propozimi i ri ndalon vendosjen e gardheve, mureve, barrierave apo pengesave të tjera fizike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.