Presidenti Begaj në manifestimin “Vuthaj 2026”: Alpet shqiptare janë ura e identitetit kombëtar dhe e lidhjes me diasporën
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në manifestimin tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”. Gjatë këtij aktiviteti, Kreu i Shtetit u shpreh se ky takim shërben si një urë e fuqishme që bashkon shqiptarët me vendlindjen, ruan trashëgiminë kulturore dhe forcon lidhjet ndërbrezore.
Ruajtja e identitetit dhe lidhja me rrënjët
Në fjalën e tij drejtuar komunitetit lokal, të pranishmëve nga trevat shqiptare dhe pjesëtarëve të shumtë të diasporës, Presidenti Begaj vuri në pah rolin e veçantë që treva e Plavës dhe Gucisë ka luajtur historikisht në mbrojtjen e gjuhës dhe zakoneve kombëtare.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së historisë dhe mënyrës së jetesës në këto treva.
“Alpet Shqiptare janë një pjesë e historisë së shqiptarit, e karakterit dhe e mënyrës se si kemi ditur të jetojmë në harmoni me tokën, me familjen dhe me njëri-tjetrin. Në këto male janë ruajtur zakone, këngë, veshje e mënyra jetese që i japin identitet kulturës sonë kombëtare.”, tha Presidenti.
Duke u ndalur te domethënia e rikthimit të bashkatdhetarëve nga diaspora, Kreu i Shtetit u shpreh se “Gucia dhe Alpet Shqiptare janë një nga ato vende. Këtu, kthimi është një takim me rrënjët, me familjen, me gjuhën, me kujtimet dhe me gjithçka që na ka formuar. Ai është dëshmia se lidhja me vendlindjen nuk dobësohet nga largësia dhe nuk matet me kilometrat që na ndajnë prej saj.”
Kontributi historik dhe vlerat kombëtare
Presidenti Begaj sjell në vëmendje edhe figurat e shquara historike të trevës, si Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri, duke e cilësuar këtë rajon si një vatër të qëndresës dhe dinjitetit kombëtar. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e komunitetit shqiptar në zhvillimin e Malit të Zi, si dhe rëndësinë e paqes, integrimit evropian dhe partneritetit me SHBA-në.
Duke apeluar për ruajtjen e kësaj trashëgimie te brezat e rinj, Presidenti Begaj theksoi se “ato nuk ruhen vetëm në dokumente dhe në fjalime zyrtare si ky. Ato ruhen në familje, në këngë, në valle, në veshjet tradicionale, në lojërat popullore, në gjuhën që u mësojmë fëmijëve dhe identitetin tonë kombëtar.”
Në mbyllje të mesazhit të tij, ai përcolli një thirrje për bashkëpunim dhe zhvillim.
“Ky është mesazhi im sot për ju dhe për të gjithë shqiptarët: të ruajmë atë që kemi trashëguar, por njëkohësisht të ndërtojmë me besim të ardhmen; të jemi krenarë për identitetin tonë, por edhe të hapur ndaj bashkëpunimit; të mbështesim njëri-tjetrin dhe të punojmë që brezat që vijnë të kenë më shumë mundësi se ne.”, tha kreu i shtetit.
Në kuadër të këtij manifestimi, Presidenti i Republikës u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, një vlerësim ky për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mbështetjen e komuniteteve shqiptare në rajon e diasporë. Vizita e Presidentit Begaj në Plavë dhe Guci përfshiu gjithashtu takime zyrtare me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe autoritetet vendore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.