Projekt restaurimi për Kishën e Shën Kollit në Krutjen e Sipërme
Përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një takim pune në bashkinë e Lushnjës, ku në fokus ishte mbrojtja dhe restaurimi i Kishës së Shën Kollit, Monument Kulture, Kategoria I, në Krutjen e Sipërme.
Gjatë takimit u prezantua projekti i restaurimit dhe ndërhyrjet e planifikuara për ruajtjen, konsolidimin dhe restaurimin e monumentit. Gjithashtu, u bë e ditur puna që po kryen IKTK për dokumentimin, studimin dhe ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e projektit.
Përfaqësuesit e institucionit theksuan rëndësinë që Kisha e Shën Kollit ka për trashëgiminë kulturore dhe identitetin historik të zonës, duke vlerësuar se procesi i restaurimit kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe komunitetit vendor.
Takimi rikonfirmoi angazhimin për ruajtjen dhe restaurimin e këtij monumenti, me synimin që kjo pasuri e vyer e trashëgimisë kulturore shqiptare të ruhet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.
Kisha e Shën Kollit në Krutje është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Myzeqesë. Ajo mendohet të jetë ndërtuar në shekullin XVIII mbi themele më të hershme dhe shquhet për vlerat e saj historike, arkitekturore dhe artistike. Objekti shquhet për arkitekturën e thjeshtë dhe ruan elementë karakteristikë të arkitekturës së kultit ortodoks, ndërsa afresket dhe ikonostasi përfaqësojnë dëshmi me rëndësi për historinë e artit kishtar shqiptar.
Sot, Kisha e Shën Kollit përbën një ndalesë me interes për vizitorët e turizmit kulturor dhe fetar, duke ofruar mundësinë për të njohur më nga afër trashëgiminë shpirtërore, historinë lokale dhe identitetin kulturor të Lushnjës. Ajo plotëson ofertën turistike të qytetit si një element i rëndësishëm i historisë dhe traditës së tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.