Protestë nesër në Beograd kundër minierave: ekologjistët kërkojnë moratorium për të gjitha kontratat e shtetit
Kryetarja e SEOS-it, Ljiljana Braloviç: "Do të kërkojmë moratorium për të gjitha marrëveshjet që shteti ka lidhur për kërkim dhe shfrytëzim minierash"
Në Beograd do të mbahet nesër, më 19 shtator, një protestë kundër minierave, e thirrur nga Lidhja e Organizatave Ekologjike të Serbisë (SEOS), raporton Danas. Kryetarja e SEOS-it, Ljiljana Braloviç, deklaroi se protestuesit do të kërkojnë “moratorium për të gjitha kontratat që shteti ka lidhur në lidhje me kërkimin dhe shfrytëzimin e minierave”.
SEOS-i është koalicioni i organizatave ekologjike që prej vitesh qëndron në krye të lëvizjes kundër projekteve minerare në Serbi, me në qendër projektin e litiumit të kompanisë shumëkombëshe Rio Tinto në luginën e Jadrit, pranë Loznicës, në perëndim të vendit. Banorët e zonës dhe aktivistët druajnë se miniera do të shkaktojë ndotje të pariparueshme të tokës dhe të rezervave nëntokësore të ujit, si dhe të tokave bujqësore të luginës.
Pas javësh protestash masive në mbarë vendin, qeveria serbe e pezulloi projektin e litiumit në vitin 2022. Projekti u ringjall në vitin 2024, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se revokimi i lejeve të Rio Tintos nuk ishte në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, dhe Beogradi nënshkroi më pas një memorandum mirëkuptimi me Bashkimin Evropian për lëndët e para kritike, bateritë dhe automjetet elektrike.
Litiumi është metal strategjik për bateritë e automjeteve elektrike dhe konsiderohet lëndë e parë kritike nga BE-ja, e cila varet kryesisht nga Kina për furnizimin. Qeveria serbe e sheh projektin si mundësi zhvillimi ekonomik, ndërsa kritikët thonë se ai do të shkaktojë dëme të pariparueshme mjedisore. Protesta e nesërme pritet të jetë tubimi më i fundit i një lëvizjeje që prej vitesh e ka kthyer çështjen e minierave në një nga vijat kryesore politike të vendit.
Burimi: Danas



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.