PS feston 35-vjetorin, Rama: 25% e territorit zonë e mbrojtur, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh në Vjosë
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e Partisë Socialiste për 35-vjetorin e themelimit, Kryeministri Edi Rama u ndal tek çështjet e mjedisit, kujtimet nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe roli i qeverisë në mbrojtjen e natyrës.
Rama tha se ndan të njëjtin shqetësim me protestuesit për mbrojtjen e natyrës, mjedisit dhe cilësinë e jetës.
“E vërteta është se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish nuk është si duket nga bulevardi. Edhe unë mendoj për jetën e banorëve të tokës, brishtësinë e mjedisit përballë veprimeve të njerëzve me pushtet. Qysh kur kam shkelur në zyrën e parë të shtetit, kam bërë sa kam mundur kundër pisllëkut dhe për pastërtinë.”
Ai kujtoi Tiranën e para dy dekadave, duke thënë se shumë të rinj nuk e mbajnë mend qytetin në atë periudhë.
“Shumë prej atyre që janë në bulevard apo që i mbështesin nga rrjetet sociale, janë shumë të rinj për ta kujtuar Tiranën e 20 viteve më parë, kur kishte më shumë pemë të prera se të mbjella. 90 për qind e pemëve që shohin në rrugët e Tiranës i kemi mbjellë së bashku me disa të tjerë që janë këtu, në kohën që si kryetar bashkie dola nga zyra duke lënë pas 55 mijë rrënjë pemësh dekorative. Shumë prej atyre pemëve të larta kanë qenë fidanë të mbjellë me sherr, pasi duheshin shembur kioska dhe ndërtime.”
Rama shtoi se vetëm në skarpatet e Lanës janë hequr 123 mijë ton beton dhe se kjo përvojë i ka mësuar se çdo hap përpara shoqërohet me kundërshtime.
“Që atëherë unë mësova se në këtë vend nuk hedh dot një hap për të ecur përpara, pa bërë një sherr që të kthen pas. Që atëherë më flet në vesh Faik Konica, i cili thotë ‘bëj durim, sepse shqiptari e ka zakon që kundërshton pa marrë vesh’.”
Duke iu referuar debatit për investimin në Zvërnec, Rama tha se ishte qeveria e tij që hartoi për herë të parë ligjin për zonat e mbrojtura.
“Ligjin e parë për zonat e mbrojtura e bëri qeveria e PS-së në mandatin tonë të parë. Deri në vitin 2017, Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojtura. Ishim ne që e kemi çuar në 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Një e katërta e territorit është zonë e mbrojtur. Ishim ne që krijuam Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.”
Ai theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon me administratë të plotë për zonat e mbrojtura.
“Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me administratë në të gjithë territorin për zonat e mbrojtura, me 12 parqe kombëtare, 11 peizazhe të mbrojtura dhe 700 monumente natyre.”
Rama përmendi edhe anulimin e kontratave për hidrocentralet, duke e lidhur me shpalljen e Vjosës park kombëtar.
“Ishim ne që bllokuam lejet e dhëna mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm mbi lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e 9 hidrocentraleve. Për shpalljen e Vjosës park kombëtar, bashkë me degët e veta, në një sipërfaqe prej plot 12 mijë hektarësh, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. Në Greqinë fqinje dhe mike, ku ndodhen 17 kilometrat e para të Vjosës, nuk i është dhënë lumit të fundit të egër në Europë mbrojtja që i kemi dhënë ne.”
Lajmi në zhvillim
/rtsh.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.