PS feston 35-vjetorin, Rama: Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje, është amanet i shenjtë. Bashkë drejt BE
Në aktivitetin e madh të Partisë Socialiste për 35-vjetorin e themelimit, zhvilluar në Sheshin “Italia” në Tiranë, Kryeministri Edi Rama u ndal tek çështjet e mjedisit, investimet dhe roli i PS-së në mbrojtjen e territorit. Ai theksoi se për të, Shqipëria është një amanet i shenjtë dhe nuk ka qenë kurrë për shitje.
Rama kujtoi anulimin e kontratave për hidrocentralet në lumin Vjosë dhe ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, duke e cilësuar këtë si një arritje historike për mbrojtjen e natyrës. Ai foli edhe për betejat ligjore me investitorë të huaj, duke theksuar se Shqipëria nuk ka humbur asnjë qindarkë nga taksat e qytetarëve.
“Leje të dhëna qorrazi në shtretërit e lumenjve, në lumin e Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e 9 hidrocentraleve. Për shpalljen e Vjosës park kombëtar, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. Nuk i është dhënë mbrojtje kaq e fortë, e shpëtuam Vjosën nga hidrocentralet. Jemi në betejë me një kriminel, kur i mori Shqipërisë 110 milionë euro në arbitrazh, dhe ata opozitarë shpërndanin para zgjedhjeve fletushkën se ikën 110 milionë dollarë nga taksat e shqiptarëve. Ai llum i sjellë në Shqipëri, nuk ka marrë asnjë qindarkë, por po përballet me drejtësinë në Belgjikë. Hidrocentrali i tij monstruoz iku për skrap. Shqipëria nuk ka qenë kurrë në shitje, flamuri i ngritur në Vlorë nga plaku legjendar i pavarësisë, nuk ka qenë çarçaf patriotizmi, por për ne, për mua, Shqipëria është amanet i shenjtë në sytë, mendjen dhe në zemrën time.”-tha ai.
Më tej, kryeministri shtoi se, “Kur opozitarët tanë, të vjetrit e të rinjtë shpërndanin para zgjedhjeve, në të gjitha makinat, në xhama e në shtëpi, fletushkën se ikën 110 mln dollarë nga taksat. Ai llum, i sjellë në Shqipëri nga tjetërkush më parë, jo vetëm që s’ka marrë asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, po po përballet me drejtësinë në Belgjikë, ndërsa hidrocentrali i tij monstruoz, iku për skrap sepse qëkur PS ka marrë përsipër misionin historik për të anëtarësuar Shqipërinë në BE, Shqipëria s’ka qenë kurrë për shitje, ky vend s’ka qenë kurrë më krijesë e kërrusur para askujt, flamuri s’ka qenë as çarçaf patriotizmi të shtirur, as tortë për t’u ofruar. Për mua, Shqipëria është amanet i shenjtë në sytë, mendjen dhe zemrën time! Prandaj jam krenar sot, në këtë përvjetor, përballë të gjithëve ju, qoftë ata që më besuan kur mora drejtimin e kësaj partie, ata që s’më besuan, edhe para atyre që mungojnë sot sepse s’janë më midis nesh, ku dua të veçoj liderin historik, Fatos Nanon, krenaria e shprehur publikisht për mua dhe pasi marrëdhënia jonë kaloi në faza dramatike, kryesisht për të, mbetet për mua një vlerësim i veçantë. Nuk mund të harroj çdonjërin nga veteranët e luftës që i njoha në fillimet e këtij misioni, m’u bënë krah i fortë edhe pse më pritën me këmbët e para. S’e kam bërë gjithçka mirë, kam gabuar jo 1 herë, edhe pse kurrë nuk kam dashur t’i hyj në hak askujt, ka shumë të ngjarë ta kem bërë pa qëllim a me vlerësim të gabuar. Unë do t’i jap PS pa kursim gjithçka kërkohet nga një lider dhe bashkë me PS ia kemi ngritur kokën Shqipërisë e çdo shqiptari që sot kudo qoftë, thotë jam shqiptar, jam krenar dhe së bashku do ta çojmë Shqipërinë në majën ku dielli lind andej nga perëndon!”




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.