Rama: 4 universiteteve të reja në Fier, Vlorë, Tiranë dhe Korçë! Shqipëria, e para në rajon për matematikë
Kryeministri Edi Rama ka folur për planet për zgjerimin e arsimit të lartë në vend, duke bërë të ditur se synohet hapja e katër universiteteve të reja në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë.
Në podcastin “Flasim”, Rama tha se plani parashikon katër universitete me profile të ndryshme. Universiteti i Fierit do të fokusohet në mjekësi, ndërsa ai i Vlorës pritet të jetë universitet i përgjithshëm dhe më i madhi ndër katër institucionet e planifikuara.
Në Korçë, sipas kryeministrit, do të ngrihet një universitet i fokusuar në teknologji dhe Inteligjencë Artificiale, ndërsa në Tiranë parashikohet një tjetër universitet i përgjithshëm.
“Së shpejti, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës, i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier. Universiteti mjekësor i Fierit do të jetë ndërkombëtar, me reputacion ndërkombëtar, me studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota. Kthimi i Spitalit Memorial për ta kthyer në spital universitar duhet universiteti dhe tani jemi shumë afër. Kemi filluar një proces diskutimesh dhe kemi parë një draft-studim të fizibilitetit. Është fantastike dhe po presim studimin përfundimtar nga ana e tyre. Është një investim shumë i madh që po bëjmë dhe është një investim i përbashkët. Ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën dhe ata do të sjellin pedagogët, por edhe zgjedhja e pedagogëve shqiptarë, jo vetëm këtu, por edhe në diasporë.
Është një plan ambicioz. Janë katër universitete: ai i Fierit për mjekësinë, ai i Vlorës, që do të jetë më i madhi nga të katërt dhe do të jetë i përgjithshëm. Ambicia jonë është ta instalojmë në qendër të Vlorës, te Sheshi i Flamurit, që do të krijojë një dinamikë të re për qytetin. Një tjetër do të jetë në Korçë, që do të jetë për teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale, dhe tjetri do të jetë në Tiranë, që do të jetë një universitet i përgjithshëm”, tha Rama.
Por krahas planeve për arsimin e lartë, Rama u ndal edhe te rezultatet e Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA 2025.
Ai i cilësoi rezultatet “fryt’ të një pune të gjatë dhe të një transformimi në sistemin arsimor, duke theksuar jo vetëm investimet në infrastrukturë dhe tekste, por edhe përmirësimin e administrimit të shkollave.
“Kënaqësi për rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025, që janë fryt i një pune të gjatë, i një transformimi tërësor, i një përpjekjeje për të rritur jo thjesht cilësinë e infrastrukturës dhe teksteve, por edhe cilësinë e administrimit të shkollave, ku sot kemi një numër gjithnjë e më të madh drejtuesish që kalojnë nga Shkolla e Drejtorëve. Si rezultat i gjithë këtij intensiteti dhe ndërveprimit mes shkollës, prindërve dhe, padiskutim, nuk u heq asnjë presje atyre që nënvizojnë meritat e nxënësve. Shqipëria e filloi këtë ngjitje drejt majës në klasifikimin ballkanik perëndimor nga fundi dhe sot jemi të parët në matematikë”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.