Revista gjermane “CHIP”: Shqipëria, zgjedhja ideale për pushime larg turizmit masiv në 2026
– Shqipëria është renditur mes destinacioneve më të rekomanduara për vitin 2026 nga blogerët gjermanë të udhëtimeve, si një alternativë ideale larg turizmit masiv.
Në një artikull të publikua në revisten gjermane “CHIP”, dyshja e njohur e blogerëve “Reisekröten” rekomandojnë Shqipërinë, në listën e pesë vendeve për pushime të qeta, së bashku me Sardenjën, në Itali; Conil de la Frontera në Spanjë, La Gomera në Ishujt Kanarie dhe ishullin Arran në Skoci.
Sipas tyre, Shqipëria është “destinacioni sekret” i vitit 2026 mes destinacioneve verore, veçanërisht për turistët që, përveç plazhit, dëshirojnë të zbulojnë edhe brendësinë e vendit.
Blogerët tregojnë se e kanë përshkuar Shqipërinë për shtatë javë dhe janë befasuar nga shumëllojshmëria që ofron vendi.
“Veçanërisht nëse, pas disa ditësh në plazh, dëshironi të vizitoni edhe pjesën e brendshme të vendit, si Gjirokastra, Berati apo Korça. Ne udhëtuam në Shqipëri për shtatë javë dhe u surprizuam nga sa larmishmëria e vendit me, plazhe të mrekullueshme dhe gjire të vegjël përgjatë bregdetit, shumë kulturë në jug, zona pothuajse të paprekura nga turizmi në lindje, si edhe natyrë mbresëlënëse në veri, në Parkun Kombëtar të Alpeve Shqiptare”, thanë blogerët.
Ata vlerësuan veçanërisht Rvierën Shqiptare, duke përmendur plazhet pranë Himarës dhe Vlorës.
“Plazhet e Rivierës Shqiptare, për shembull rreth Himarës apo Vlorës, janë mahnitëse. Çmimet në restorante dhe hotele janë ende dukshëm më të ulëta se në vendet e tjera të Mesdheut, ndërsa njerëzit janë jashtëzakonisht mikpritës”, thanë ata.
Të pyetur nga “CHIP” se cila ishte mënyra më e mirë për të shmangur turizmin masiv, gjatë udhëtimeve të tyre, blogerët thanë se zgjedhin të udhëtojnë jashtë sezonit veror ose drejt vendeve, që nuk janë bërë ende destinacione kryesore turistike.
“Zakonisht i shmangim pikat më të frekuentuara, duke udhëtuar në fillim ose në fund të sezonit, ose duke zgjedhur rajone që ende nuk janë bërë pjesë e turizmit masiv”, thanë blogerët.
“Shqipëria është shembulli perfekt. Ne e vizituam vjeshtën e kaluar dhe ishte një periudhë e mrekullueshme. Në bregdet nuk bën më vapë përvëluese, ndërsa deti mbetet ende mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar”, shtuan ata.
“Të udhëtosh jashtë pikut të sezonit, kryesisht në Evropë, është mënyra jonë për të përjetuar dhe eksploruar vende qe nuk janë përfshirë ende nga turizmi masiv”, shtuan blogerët. /

Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.