Ruby Rose publikon mesazhet e Hayden Panettiere për nënën e saj para vdekjes

Aktorja Ruby Rose ka publikuar disa mesazhe që, sipas saj, i kishte shkëmbyer me aktoren Hayden Panettiere pak para vdekjes së saj në moshën 36-vjeçare. Në mesazhe, Panettiere pretendohet se fliste për marrëdhënien e vështirë me nënën e saj, Lesley Vogel.
Rose, 40 vjeç, publikoi të mërkurën në Threads foto, duke pretenduar se ato përmbanin mesazhe të dërguara nga Panettiere. Në to, aktorja fliste për dhimbjen që i shkaktonte sjellja e së ëmës.
Në një prej mesazheve, Hayden hprehej se do të dëshironte të realizonte një podcast apo një program televiziv ku të fliste për çështje personale dhe të kërkonte zgjidhje për to. Aktorja vijonte duke shprehur dhimbjen për mënyrën se si nëna e kishte trajtuar situatën.
“Po qaja për mizorinë e saj dje, duke menduar: Zot, jam 36 vjeç dhe ajo ende mund të më shkaktojë kaq shumë dhimbje.”

Postimi i Ruby Rose vjen pas deklaratave të diskutueshme të Lesley Vogel pas vdekjes së vajzës së saj. Në një intervistë për NBC News, Vogel foli për vdekjen e Panettiere dhe kritikoi ish-partnerin e saj, Brian Hickerson, duke thënë se vajza e saj kishte marrë “rrugën e gabuar”.
Deklaratat shkaktuan reagime të forta, ndërsa moderatorja e CBS, Gayle King, i kritikoi publikisht fjalët e nënës së Panettiere, duke i cilësuar ato si të dhimbshme.
Panettiere kishte folur edhe më herët për marrëdhënien e tensionuar me nënën e saj. Në maj, gjatë një interviste në podcastin “On Purpose” të Jay Shetty, aktorja tregoi se kishte ndërprerë marrëdhënien profesionale me të ëmën kur ishte vetëm 19 vjeçe.
“Unë thjesht doja që ajo të ishte nëna ime”, kishte treguar Panettiere. Ajo pretendoi se gjatë xhirimeve të serialit “Heroes” i kishte thënë nënës së saj se nuk dëshironte të punonin më bashkë, por vetëm të kishin një marrëdhënie nënë-bijë.
Panettiere ndërroi jetë të dielën në moshën 36-vjeçare. Sipas mjekut ligjor në Greenville, South Carolina, në trupin e saj nuk u gjetën shenja traume që mund të kishin shkaktuar vdekjen.
Shkaku dhe mënyra e vdekjes mbeten ende në pritje të hetimeve të mëtejshme dhe analizave toksikologjike.
Aktorja, e njohur për rolet në “Heroes”, “Nashville” dhe “Bring It On: All or Nothing”, kishte folur publikisht gjatë viteve të fundit për problemet me alkoolin dhe opioidet, si dhe për marrëdhënien e saj të vështirë me të ëmën.
Ndërkohë, babai i saj, Alan “Skip” Panettiere, e kujtoi Hayden si “një dritë të jashtëzakonshme” që u kishte sjellë dashuri dhe gëzim të madh njerëzve që e njihnin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.