RUSI – Shtatë të vrarë nga një sulm ukrainas në Enerhodar
MOSKĒ, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Të paktën shtatë persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi ukrainas në qytetin e pushtuar nga Rusia, Enerhodar, në rajonin e Zaporizhas, sipas autoriteteve të vendosura nga Moska.
Qyteti ndodhet pranë centralit bërthamor të Zaporizhas, më i madhi në Evropë.
Lajmi u bë i ditur nga kreu i korporatës shtetërore ruse të energjisë bërthamore Rosatom, Alexey Likhachev, si dhe nga guvernatori i emëruar nga Rusia në rajonin e Zaporizhzhias, Yevgeny Balitsky.
Sipas tyre, sulmi shkaktoi viktima dhe të plagosur mes banorëve të qytetit.
Pretendimet e autoriteteve ruse nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa pala ukrainase nuk ka reaguar menjëherë lidhur me ngjarjen.
Likhachev akuzoi politikanët dhe organizatat evropiane se po “injorojnë” sulmet ndaj Enerhodarit, duke pretenduar se që nga fundi i muajit prill, në këtë qytet janë vrarë të paktën 11 persona si pasojë e sulmeve ukrainase.
Enerhodari, i cili para fillimit të luftës kishte rreth 53 mijë banorë, është i lidhur ngushtë me centralin bërthamor të Zaporizhas, punëdhënësi më i madh i qytetit.
Centrali, me gjashtë reaktorë dhe një kapacitet prej 6000 megavatësh, ndodhet nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022.
Aktualisht centrali nuk prodhon energji elektrike. Gjatë luftës janë bërë disa përpjekje nga Ukraina për ta rimarrë nën kontroll, por ato kanë dështuar. Një ekip i përhershëm i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike vazhdon të monitorojë situatën në terren, me qëllim parandalimin e një aksidenti bërthamor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.