Seanca maratonë, Kuvendi miraton Buxhetin 2027 dhe paketën fiskale, kalojnë edhe projektligjet për kriptoasetet e donacionet
Pas një seance maratonë që zgjati deri në orën 03:30 të mëngjesit, Kuvendi miratoi me 80 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për Buxhetin e vitit 2027. Në seancën e cila zgjati 17 orë, deputetët shqyrtuan dhe votuan një paketë të gjerë nismash ligjore, që përfshinte ndryshime fiskale, akte normative, rregullimin e tregjeve financiare, arsimin dhe funksionimin e institucioneve publike. Në fokus të seancës maratonë ishte paketa fiskale dhe projektbuxheti i vitit 2027, por diskutimet dhe votimet u shtrinë edhe në çështje të tjera me rëndësi, si organizimi i tubimeve, siguria detare, tregjet e kriptoaseteve, mbikëqyrja financiare, donacionet dhe sponsorizimet, si dhe kontrolli i punimeve të ndërtimit.
Në nisje të punimeve, me propozim të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ndryshua rendi i ditës për të përfshirë edhe projektvendimin për lirimin e Gentian Salës nga detyra e anëtarit dhe kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Përpara votimit të buxhetit, Kuvendi miratoi pesë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale, të cilat parashikojnë ndryshime në tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat. Projektligji për ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat u miratua me 80 vota pro dhe 21 kundër. Ndryshimet në ligjin për TVSH-në morën 78 vota pro dhe 21 kundër, ndërsa projektligji për procedurat tatimore u miratua me 80 vota pro dhe 23 kundër.
Ndërkohë, ndryshimet në ligjin për taksat kombëtare morën 80 vota pro dhe 20 kundër, ndërsa ato për akcizat u miratuan me 78 vota pro dhe 18 kundër. Një tjetër pikë e diskutuar ishte paketa e dy akteve normative që lidhen me organizimin e tubimeve dhe shpërblimin e dëmeve civile të shkaktuara gjatë akteve të dhunshme. Aktin normativ për ndryshimet në ligjin për tubimet e prezantoi ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo. Ai theksoi se Policia ka detyrimin të mbrojë çdo qytetar që proteston në mënyrë paqësore, por nënvizoi se sulmet ndaj efektivëve, institucioneve dhe bizneseve nuk mund të justifikohen nga asnjë kauzë politike.
Nga ana tjetër, deputetja e opozitës Jorida Tabaku e kundërshtoi aktin, duke e cilësuar antidemokratik dhe duke kërkuar llogaridhënie për dhunën policore. Akti normativ u miratua me 79 vota pro dhe 21 kundër. Ndërsa akti tjetër normativ, që përcakton mekanizmin për shpërblimin e dëmeve civile ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, u miratua me 80 vota pro dhe 20 kundër.
Në vijim, Kuvendi miratoi projektligjin për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, e cilësoi projektin si një bashkëpunim të rëndësishëm mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, që sjell një model të ri në arsimin publik parauniversitar. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi rihapjen e Liceut një ngjarje me rëndësi kombëtare dhe investim strategjik për modernizimin e vendit përmes arsimit. Modeli i ri arsimor pritet të orientohet drejt shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe inovacionit.
Një tjetër nismë e miratuar ishte projektligji për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare. Ministri i Financave, Petrit Malaj, argumentoi se nisma synon forcimin e mbikëqyrjes dhe koordinimit mes autoriteteve përkatëse, si dhe identifikimin dhe administrimin e rreziqeve që mund të cenojnë stabilitetin financiar. Projektligji mori 77 vota pro, një kundër dhe një abstenim. Kuvendi miratoi gjithashtu projektligjin për tregjet e kriptoaseteve. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, shpjegoi se nisma krijon një kuadër rregullator për emetimin, ofrimin dhe tregtimin e kriptoaseteve, duke përcaktuar edhe kërkesat për subjektet që operojnë në këtë treg.
Deputetja Jorida Tabaku kërkoi që krahas rregullimit të tregut të kriptomonedhave, vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe kontrollit të sektorit të ndërtimit dhe rrezikut të pastrimit të parave. Projektligji u miratua me 80 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim. Në vijim të seancës, deputetët miratuan projektligjin për donacionet dhe sponsorizimet, që përcakton rregullat dhe procedurat për dhënien, përfitimin dhe administrimin e tyre.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, bëri thirrje për mbështetjen e nismës përtej ndasive politike, duke theksuar rëndësinë e sponsorizimeve për sportin. Ndërsa kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, e kundërshtoi projektligjin, duke ngritur shqetësime për mungesën e efekteve financiare të evidentuara. Projektligji u miratua me 81 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Po ashtu, me 79 vota pro u miratua projektligji për kontabilitetin në sektorin publik, që synon standardizimin e praktikave kontabël, përmirësimin e raportimit financiar dhe forcimin e transparencës në administrimin e fondeve publike.
Me të njëjtin rezultat, 79 vota pro, u miratua edhe ndryshimi në ligjin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Kuvendi miratoi gjithashtu ndryshimet e Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual, të cilat lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar, inspektimin e anijeve, sigurinë detare dhe parandalimin e ndotjes. Projektligji mori 76 vota pro, 3 kundër dhe një abstenim. Në përfundim të rendit të ditës, deputetët miratuan edhe shtesën në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, me 79 vota pro.
Gjithashtu, u miratua projektvendimi për lirimin e Gentian Salës nga detyra e anëtarit dhe kryetarit të Këshillit Drejtues të AKEP-it, me 79 vota pro dhe një abstenim. Seanca plenare mbajti edhe një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Ylli Ziçishti, i cili u nda nga jeta më 26 nëntor 2026.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.