SEPA nxit remitancat, BSH: Ulja e kostove ka shtuar dërgesat e emigrantëve
Emigrantët shqiptarë kanë rritur nivelin e të ardhurave që kanë dërguar pranë familjeve në atdhe.
Për Bankën e Shqipërisë kjo tendencë ka qenë e nxitur nga hyrja e vendit në sistemin SEPA, sistem i cili ka reduktuar ndjeshëm kostot e transfertave.
Sipas Analizës së Bilancit të Pagesave, në tremujorin e dytë të këtij viti, remitancat arritën në 274.3 milionë euro. Norma vjetore e rritjes së remitancave u ngadalësua lehtë në 9.4%, nga 10.8% në tremujorin paraardhës, megjithatë qëndron mbi normën mesatare 7.0% të vitit 2025.
Në raport me PBB-në, remitancat u rritën lehtësisht në 4.3%, nga 4.2% në tremujorin e parë të vitit 2025, duke vijuar të mbështesin rritjen e të ardhurave të disponueshme të familjeve dhe konsumin privat në vend.
“Normat vjetore të rritjes së remitancave janë përshpejtuar që prej tremujorit të katërt të vitit 2025, periudhë kjo që përkon me fillimin e operimit të sistemit “SEPA” në Shqipëri. Ky zhvillim sugjeron se reduktimi i kostove dhe rritja e eficiencës së transfertave ndërkufitare në Euro mund të kenë kontribuuar në rritjen e flukseve hyrëse të remitancave”, theksohet në analizën e Bankës së Shqipërisë. Që prej tetorit të vitit të kaluar, kur Shqipëria hyri në SEPA, pagesat hyrëse nga emigrantët (remitanca) kushtojnë maksimumi 3 euro. Ulja e ndjeshme e kostove ka bërë që shumë emigrantë të zgjedhin rrugën zyrtare dhe tranfertat bankare për të dërguar paratë pranë të afërmve dhe jo më dërgimin e parave cash.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.