SHBA – Clayton: Kërcënimet nga Irani janë rritur ndjeshëm
– Kërcënimet nga Irani ndaj amerikanëve brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur ndjeshëm, deklaroi sot drejtori i Zbulimit Kombëtar të SHBA-së, Jay Clayton, sipas Reuters.
“Ne mbetemi të angazhuar në zbulimin, parandalimin dhe luftimin e komploteve vdekjeprurëse iraniane, si jashtë, ashtu edhe brenda Shteteve të Bashkuara”, tha Clayton gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Sigurisë së Brendshme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ai paralajmëroi se kërcënimet janë shtuar ndjeshëm dhe se personeli amerikan, si në vend, ashtu edhe jashtë tij, po përballet me rreziqe më të mëdha.
Irani ka paralajmëruar se do të sulmojë forcat amerikane dhe aleatët rajonalë në shenjë hakmarrjeje për sulmet e SHBA-së ndaj vendit, të cilat vijojnë prej më shumë se tetë muajsh, që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet e koordinuara në shkurt.
Në një memorandum muajin e kaluar, Clayton kishte deklaruar se Irani ka intensifikuar përpjekjet për të shënjestruar personelin amerikan dhe se komplotet vdekjeprurëse të Teheranit kundër qytetarëve amerikanë kanë arritur në faza të avancuara.
Një raport i CNN këtë javë, duke iu referuar vlerësimeve të inteligjencës amerikane, ngriti mundësinë që Irani të jetë duke planifikuar një sulm me bombë radiologjike, të njohur si “bombë e pistë”, në Uashington.
I pyetur për këtë raport gjatë seancës së sotme, Clayton refuzoi të komentonte mbi raste specifike, por pranoi se kërcënime të tilla nuk janë të reja.
“Ekziston një seri kërcënimesh që ne i referohemi si kërcënime për shkatërrim masiv ndaj civilëve, ose si të doni t’i quani, dhe ato kanë qenë të pranishme prej kohësh”, tha ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi sot se nuk mendonte se kishte ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj kryeqytetit amerikan, kur u pyet për raportin gjatë udhëtimit në Azi me presidentin Donald Trump.
Presidenti Trump deklaroi dje se SHBA-ja po e merr seriozisht mundësinë që Irani mund të jetë duke planifikuar një sulm./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.