SHBA – Dhoma e Përfaqësuesve miraton sërish rezolutën për ndalimin e veprimeve ushtarake ndaj Iranit
– Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miratoi sërish një rezolutë, që kërkon ndalimin e veprimeve ushtarake ndaj Iranit, ndërsa konflikti përshkallëzohet, sipas AP.
Projektligji u miratua sot me një diferencë të ngushtë votash (214 pro dhe 208 kundër), një rezolutë që kërkon ndalimin e veprimeve ushtarake të SHBA-së kundër Iranit, pa miratimin e Kongresit.
Me këtë votim, ligjvënësit i dërguan një tjetër sinjal presidentit Donald Trump se Kongresi duhet të ketë fjalën e fundit, për përfshirjen e vendit në luftë.
Përpara këtij votimi, Senati hodhi poshtë një rezolutë të ngjashme me rezultatin 49 vota kundër dhe 47 pro.
Edhe pse këto rezoluta nuk janë detyruese dhe nuk e ndalojnë automatikisht presidentin, të vazhdojë operacionet ushtarake, demokratët i paraqitën ato, për të treguar se mbështetja politike për luftën po dobësohet, ndërsa konflikti vazhdon dhe nuk ka ende një plan të qartë për përfundimin e tij.
Deputetja demokrate Pramila Jayapal deklaroi se lufta nuk ka një mision të qartë, nuk ka strategji dhe nuk ka një objektiv përfundimtar.
Rezoluta u miratua pasi disa republikanë votuan së bashku me demokratët, për t’i dhënë fund përfshirjes ushtarake.
Megjithatë, shumica e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat votuan në mbështetje të vazhdimit të operacioneve ushtarake dhe të drejtës së presidentit Trump, për të marrë vendime në këtë drejtim.
Lufta nisi në fund të shkurtit pas sulmeve të përbashkëta ajrore të SHBA-së dhe Izraelit.
Në prill u arrit një armëpushim i brishtë, por Trump deklaroi këtë muaj se, armëpushimi kishte marrë fund.
Presidenti Trump ka këmbëngulur se sulmet e vazhdueshme amerikane ndaj Iranit, nuk nënkuptojnë rikthim në një luftë të plotë ose një angazhim ushtarak afatgjatë.
Shtëpia e Bardhë deklaroi sot se këto rezoluta nuk kanë fuqi ligjore, dhe nuk e detyrojnë presidentin të ndalojë operacionet ushtarake, dhe u bëri thirrje ligjvënësve të votonin kundër tyre. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.