Harriet Phillips flet për herë të parë pas dasmës mbretërore: Peter është shoku im më i mirë
Pesë muaj pas dasmës me Peter Phillips, nipin e mbretëreshës Elizabeth, Harriet Phillips rrëfen në intervistën e parë për "Hello!" takimin në fushën e hokejit, propozimin në plazh dhe pritjen me tiramisu gjigante në Gatcombe
Në intervistën e saj të parë si anëtare e familjes mbretërore, dhënë për revistën Hello!, Harriet Phillips ka kujtuar me emocion ditën e dasmës me Peter Phillips, nipin më të madh të mbretëreshës së ndjerë Elizabeth. Ish-infermierja specialiste 46-vjeçare e shërbimit shëndetësor britanik NHS u martua më 6 qershor në kishën All Saints në Kemble, në Gloucestershire, përpara mysafirëve më të lartë të familjes, mes tyre mbreti Charles, mbretëresha Camilla dhe princi e princesha e Uellsit. “Është emocionuese ta kujtosh. Kur je brenda saj, duket si ëndërr, dhe kur kthen kokën pas mendon: a isha vërtet unë? Ishte një copë parajse”, ka thënë ajo.
Çifti u njoh në mënyrë krejt të zakonshme: në fillim të vitit 2022, në anë të fushës së hokejit, ku vajzat e tyre luanin në të njëjtën skuadër. Babai i Harriet ishte ndarë nga jeta pak kohë më parë, dhe ajo tregon se Peter qe “i guximshmi” që e njohu ndjenjën mes tyre dhe veproi. Takimet e para qenë shëtitje me qentë, darka në lokale ku askush nuk i njihte dhe gatim së bashku në shtëpi. “Ai është shumë romantik, i dashur, i sjellshëm, besnik, i mrekullueshëm dhe shoku im më i mirë”, ka thënë ajo për burrin e saj.
Peter i propozoi më 25 korrik të vitit të kaluar, në plazh, gjatë një fundjave në jug të Anglisë, me një unazë të realizuar te Pragnell. Në dasmë, nusja veshi një fustan të gjatë të Emilia Wickstead, këpucë sateni të Jimmy Choo dhe një tiarë e vathë të Pragnell. Pritja u mbajt në kopshtin e Gatcombe, rezidenca e princeshës Anne, ku mysafirëve iu shërbye qengj i zonës dhe, në vend të tortës tradicionale, një tiramisu gjigante, me muzikë live dhe shumë vallëzim.
Për vjehrrën e saj, princeshën Anne, Harriet tregon se takimi i parë në kopshtin e Gatcombe kaloi mbi stola me filxhanë çaji, në një atmosferë krejt të qetë, ndërsa për princeshën Catherine thotë se “mund t’i drejtohem për këshilla dhe udhëzime; ajo është shumë zemërhapur”. Tani, pas 24 vjetësh karrierë në NHS, ajo po nis një kapitull të ri: një rol të ri professional dhe patronazhin e saj të parë, atë të organizatës bamirëse Home-Start Cotswolds, që mbështet prindërit dhe fëmijët e vegjël.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.