SHBA, Trump nënshkruan urdhrin për mbrojtjen e Zyrës Ovale si monument kombëtar
UASHINGTON, 6 nëntor, ATSH/ Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që e shpall Zyrën Ovale monument kombëtar, me synimin për të penguar presidentët e ardhshëm që të ndryshojnë në mënyrë thelbësore pamjen dhe strukturën e saj.
Trump deklaroi se Zyra Ovale është një simbol i Shteteve të Bashkuara dhe i madhështisë së vendit, ndaj duhet të mbrohet nga çdo ndërhyrje që mund të ndryshojë karakterin e saj historik.
Gjatë mandatit të tij të dytë, presidenti amerikan ka ndërmarrë ndryshime të konsiderueshme në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, veçanërisht në Zyrën Ovale, ku ka shtuar elemente të shumta dekorative në ngjyrë ari.
Urdhri ekzekutiv përfshin gjithashtu disa ambiente përreth Zyrës Ovale. Megjithatë, dokumenti nuk e kufizon autoritetin e presidentit për të kryer ndryshime dekorative, për të përzgjedhur mobiliet apo për të ndërmarrë modifikime të zakonshme, për sa kohë që nuk cenohet ndjeshëm struktura historike dhe karakteri arkitekturor i objektit.
Vendimi vjen disa muaj pasi Trump urdhëroi shembjen e plotë të Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një salle të re ceremoniale. Projekti, i cili parashikon ndërtimin e një salle vallëzimi, është përballur me sfida ligjore dhe nuk ka marrë miratimin e Kongresit amerikan.
Sipas legjislacionit amerikan, presidentët kanë kompetenca për të kryer ndryshime të caktuara në Shtëpinë e Bardhë, por projektet madhore të ndërtimit kërkojnë miratimin e Kongresit.
Trump argumentoi se ambientet kishin nevojë për restaurim, duke përmendur dritare të dëmtuara, mure të çara dhe probleme në strukturat prej guri. Ndër ndryshimet e tjera të realizuara gjatë mandatit të tij janë vendosja e një pllake të madhe të artë me mbishkrimin “Zyra Ovale”, shtrimi i sipërfaqes së Kopshtit të Trëndafilave dhe ndërtimi i një platforme të re për helikopterët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.