Kronika

Shpërblimi për ushtarakët dhe policët e angazhuar kundër përmbytjeve

2917 punonjës të Forcave   të Armatosura si dhe  330 punonjës të Policisë së Shtetit, repartit special RENEA dhe të reparteve të FNSH-së do të marrin shpërblim për angazhimin në situatën emergjente të krijuar në disa zona të vendit nga përmbytjet.

Ministria e Financave ka bërë gati vendimin për të akorduar fondin prej 63 290 000 lekë për këto kategori punonjësish. Lajmi u konfirmua pak ditë më parë gjatë ceremonive festive me rastin e 105-vjetorit të krijimit të ushtrisë shqiptare nga vetë kryeministri Rama. Ndërsa pritet që vendimi të botohet në Fletoren Zyrtare dhe të jepet për punonjësit.

Masa e shpërblimit llogaritet të jetë nga 20 mijë lekë të reja deri në 50 mijë lekë. Kështu, sipas ndarjes së bërë në këtë vendim, 298 punonjësve nga Forcat e Armatosura do t’u ndahet shuma 14 900 000 lekë, që do të thotë se për çdo punonjës do të ketë nga 50 mijë lekë të reja shpërblim. Rreth 1560 punonjës nga Forcat e Armatosura do të ndajnë shumën 31 200 000 lekë, përcaktuar nga Ministria e Financave dhe ajo e Mbrojtjes, që do të thotë se do të marrin nga 20 mijë lekë të reja secili. Ndërsa pjesa prej 1059 punonjës nga Forcat e Armatosura ndajnë shumën 10 590 000 lekë e secili do të marrë nga 10 mijë lekë shpërblim. Ndërkohë, po sipas këtij vendimi, shpërblimi i punonjësve të angazhuar në strukturat e Policisë së Shtetit të bëhet do të jetë për rreth 330 veta, në masën 20 000 lekë/punonjës. Për repartin special RENEA dhe repartet e FNSH-ve Tiranë, Fier dhe Shkodër do të shpërblehen 70 punonjës, 60 punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, po ashtu do të marrin këtë masë shpërblimi. Po 20 mijë lekë të reja do të marrin edhe 30 punonjës të Policisë Durrës, 30 punonjës të Policisë Tiranë, 70 punonjës të Policisë Vlorë, si dhe 70 punonjës të Drejtorisë Vendore të Kufirit, Migracionit Vlorë dhe repartit “Delta Force”.

Listat përkatëse me emrat e punonjësve të strukturave të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit dhe masat e shpërblimit të miratohen përkatësisht nga ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Brendshëm. Shtesa e fondit prej 63 290 000 lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe ngarkohen me vendim ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama lajmëroi edhe rritje të konsiderueshme pagash për ushtarakët në vitin 2019.

Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin “Faleminderit Forca të Armatosura”, organizuar në garnizonin “Skënderbej”, në Ministrinë e Mbrojtjes, kryeministri iu drejtua ushtarakëve me fjalët: “Krahasuar me kolegët e tjerë, pagat tuaja janë të ulëta dhe pavarësisht nivelit të lartë profesional dhe dijes patriotike që ju mishëroni, ne nuk kemi arritur dot t’ju shpërblejmë ashtu siç e meritoni. Dhe ne nuk kemi arritur të mbyllim hendekun mes jush dhe Policisë së Shtetit, i cili kurrë nuk mund të arrijë deri aty ku ju e meritoni”. Rama u shpreh se, “qeveria do të vendosë në radhë të parë një shpërblim si shprehje mirënjohjeje për të gjithë ata që u përfshinë në operacionin fantastik, që shteti përballoi si shprehje e rëndësishme”.

Vendimi i qeverisë për shpërblimin e punonjësve të FA-ve dhe policisë.

Në buxhetin e miratuar për vitin 2017 të bëhet një shtesë fondi prej 63 290 000 lekësh për shpërblimin e punonjësve të disa strukturave në Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit, të angazhuar gjatë situatës emergjente të krijuar në disa zona të vendit si rezultat i përmbytjeve natyrore, si më poshtë vijon:

Ministrisë së Mbrojtjes, në programin buxhetor “Forca e luftimit”, t’i shtohet fondi prej 56690 000 lekësh për shpërblimin e disa punonjësve të strukturave në Forcat e Armatosura.

Ministrisë së Brendshme, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, t’i shtohet fondi prej 6 600 000 për shpërblimin e disa punonjësve të Policisë së Shtetit.

Personeli i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtjes të shpërblehet, si më poshtë vijon”

298 punonjës nga Forcat e Armatosura, në shumën 14 900 000 lekë.

1560 punonjës nga Forcat e Armatosura, në shumën 31 200 000 lekë.

1059 punonjës nga Forcat e Armatosura, në shumën 10 590 000 lekë.

Shpërblimi i punonjësve të angazhuar në strukturat e Policisë së Shtetit të bëhet në masën 20 000 lekë/punonjës, për 330 punonjës dhe konkretisht:

Për repartin special RENEA dhe repartet e FNSH-ve Tiranë, Fier dhe Shkodër, 70 punonjës.

Për Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, 60 punonjës.

Për Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, 30 punonjës.

Për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, 30 punonjës.

Për Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, 70 punonjës.

Për Drejtorinë Vendore të Kufirit, Migracionit Vlorë dhe repartin “Delta Force”, 70 punonjës.

Listat përkatëse me emrat e punonjësve të strukturave të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit dhe masa e shpërblimit të miratohen përkatësisht nga ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Brendshëm.

Llogaria e masës së shpërblimit për punonjës

298 punonjës të FA marrin nga 50 mijë lekë të reja.

1560 punonjës të FA marrin nga 20 mijë lekë të reja.

1059 punonjës të FA marrin nga 10 mijë lekë të reja.

330 punonjës të Policisë së Shtetit dhe RENEA e FNSH në Tiranë, Fier e Shkodër marrin nga 20 mijë lekë të reja.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button