☀️
Tiranë 30°C · Kthjellët 08 September 2026
S&P 500 7,683 ▼0.47%
DOW 52,745 ▼1.25%
NASDAQ 26,388 ▼0.45%
NAFTA 93.47 ▲2.18%
ARI 4,442 ▼0.77%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $78,347 ▼ -0.89% ETH $2,479 ▼ -0.17% XRP $1.4079 ▲ +0.82% SOL $102.9300 ▼ -1.3%
S&P 500 7,683 ▼0.47 % DOW 52,745 ▼1.25 % NASDAQ 26,388 ▼0.45 % NAFTA 93.47 ▲2.18 % ARI 4,442 ▼0.77 % S&P 500 7,683 ▼0.47 % DOW 52,745 ▼1.25 % NASDAQ 26,388 ▼0.45 % NAFTA 93.47 ▲2.18 % ARI 4,442 ▼0.77 %
EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1623 EUR/GBP 0.8586 EUR/CHF 0.9409 EUR/ALL 92.1512 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3482 EUR/TRY 56.3403 EUR/JPY 179.51 EUR/CAD 1.6057
08 Sep 2026
Breaking
Opinion

Shqiptarët e deshën më shumë pavarësinë e Maqedonisë!

Nga Nazim Rashidi

35 vjet më parë, nuk kam njohur asnjë shqiptar të Maqedonisë — dhe as kam takuar dikë deri më sot, qoftë në kapacitet profesional apo privat, që të dëshironte të ishte pjesë e Jugosllavisë, e aq më pak të hynte “në aleancë me shtetet e tjera sovrane të Jugosllavisë”, që do të nënkuptonte, ndër të tjera, edhe me Serbinë.

Shqiptarët e deshën pavarësinë e Maqedonisë më fort se vetë maqedonasit.

Jugosllavizmin, jo e jo. Por as lidhje e as aleancë me Serbinë — shtetin që shtypte shqiptarët dhe që, bashkë me politikën e tij, ishte përgjegjës për shkatërrime e viktima të shumta në hapësirën e ish-Jugosllavisë, të cilën një pjesë e madhe e maqedonasve edhe sot e idealizojnë dhe e ëndërrojnë.

Pyetja e referendumit për pavarësinë ishte, në thelb, përjashtuese për shqiptarët:
“A jeni për një shtet sovran dhe të pavarur të Maqedonisë, me të drejtën për të hyrë në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”

Si ta votonin shqiptarët këtë referendum, kur të gjithë e mbajmë mend se sa i lidhur ishte establishmenti maqedonas i asaj kohe me atë serb?

Të gjithë shpresonim se Maqedonia e pavarur do të ishte më e mirë se Jugosllavia dhe Serbia e asaj kohe. Prandaj dëshirohej më shumë pavarësia!

Por a ishte?

Deri në vitin 2001, mendësia antishqiptare dominoi: në Kushtetutë, në ligje, në majorizimin parlamentar, në privatizime, në përjashtimin e shqiptarëve nga jeta shoqërore dhe publike, por mbi të gjitha në kopjimin e narrativave të diktuara nga Serbia.

Sot, edhe eksponentë të caktuar maqedonas e pranojnë këtë.

2001-shi — i evitueshëm apo i pashmangshëm, varësisht se si e shohin sot — solli një Maqedoni të re: Maqedoninë e Marrëveshjes së Ohrit.
Mund të pranohet gjerësisht se Marrëveshja e Ohrit solli një mundësi të madhe për përfshirjen e shqiptarëve në institucione dhe në jetën publike, si dhe një korrigjim të mënyrës se si ishte ngjizur dhe ndërtuar ky shtet i ri.

(Sa u shfrytëzua ky moment dhe sa më shumë mund të bëhej, debatet i dimë)

Një shans që shteti i ri të reflektonte barazinë, mundësitë e njëjta për të gjithë dhe të sjellë shpresën. Shpresën se, me kalimin e kohës, do të vinte përparimi dhe se vizioni për këtë shtet do të ishte modern, zhvillimor dhe i përbashkët.

Por në çdo shënim të 35-vjetorit të pavarësisë, pikërisht ky vizion mungon.

Jo vetëm kaq. Ka një sens të rikthimit të narrativave të vjetra. Dhe kjo është dëshpëruese. Sepse historia duket se nuk na ka mësuar asgjë.

Politika e sotme përdor sentimentet irracionale të së kaluarës për përfitime politike të ditës.

Dhe këtu, fatkeqësisht, askush nuk del mirë.

Klasa politike thënë më butë është e humbur.

Ajo shqiptare në pushtet sillet sikur nuk e kupton çfarë po ndodh. Ajo në opozitë është zhytur në akuza ndaj pushtetit. Ndërsa ajo maqedonase në pushtet duket e mbyllur në një gjendje “delulu”, kurse opozita pa zë fare!

Dhe të gjitha bashkë, dështojnë plot sukses në mosdhënien e rrugës të qartë se ku duhet të shkojë ky vend.

Pas 35 vjetësh, ajo që do të donim është diçka shumë më e thjeshtë dhe shumë më e madhe: një vizion i ri.

Të dëgjonim për një shtet progresiv, modern dhe funksional.

Një shtet ku njerëzit të mos mendojnë vazhdimisht si të largohen.

Një shtet ku askush të mos ndihet qytetar i dorës së dytë.

Një shtet që u përket të gjithëve njësoj.

Sepse narrativa, sado festa monoetnike të organizohen, sado yje globale të sillen, me ose pa para, se ky shtet është “së pari maqedonas” dhe pastaj u përket të tjerëve, i dëmton më shumë vetë maqedonasit. Kjo sepse krijon një realitet të rremë.

Dhe të jetosh në një rrenë është shumë më shkatërruese sesa në realitet virtual ku fshihet realiteti. E realiteti është se shqiptarët e deshin pavarësinë në mos më shumë, sa maqedinasit, se Maqedonia është e të gjithëve.

Është dinjitoze dhe kjo vlen për krejt, përpjekja, sado e vështirë, për të ndërtuar një shtet të barabartë për të gjithë.

Por ja një lajm për të gjithë iluzorët:

Shqiptarët dhe të tjerët, sado që të ketë përpjekje për t’i fshihur, nuk do të ikin nga ky vend.

Nëse një ditë ndodh që të ikin, do të ikin të gjithë — jo për shkak të përkatësisë etnike, por për shkak të dështimit të shtetit. Ndërkohë këtë se do askush, apo jo?

Maqedoninë sot e kanë ndërtuar dhe shqiptarët. Kështu si është, kontributorë janë të gjithë. Historia është kjo!

Në kontekst personal, 35 vjet më pas, shënimet e përvjetorit të pavarësisë më gjejnë të përjashtuar. Por për dallim nga zemërimi që më shkaktonte pyetja e referendumit, që po aq më përjashtonte, sot jam i qetë.

Është e kotë kjo narrativë!

Shqiptarët e duan këtë vend po aq sa maqedonasit dhe të gjithë të tjerët.

Prandaj, zgjedhja është e thjeshtë: Shteti ose do të ndërtohet bashkë, ose do të dështohet bashkë.

35 vjet pas pavarësisë, koha është të shohim përpara.

Gëzuar 35-vjetorin e pavarësisë!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.