Shtegu bregdetar në Skoci që ndryshoi kuptimin shkencor të origjinës së Tokës
– Një shteg i ri në bregun lindor të Skocisë, i çon vizitorët në një udhëtim drejt së kaluarës së largët të Tokës, në vendin ku shkencëtarët gjetën prova që planeti ynë është shumë më i vjetër nga sa ishte imagjinuar ndonjëherë, sipas BBC.
I quajtur “Deep Time Trail” (Shtegu i së Kaluarës së Largët të Tokës), ai është rreth 1,6 kilometra i gjatë dhe është krijuar për të shënuar 300-vjetorin e lindjes së gjeologut skocez, James Hutton, i konsideruar si babai i gjeologjisë moderne.
Shtegu të çon në Siccar Point, vendi ku Hutton bëri një nga zbulimet më të rëndësishme në historinë e shkencës, duke provuar se Toka është shumë më e vjetër sesa besohej në shekullin XVIII.
Zbulimi që ndryshoi shkencën
Kur Hutton vizitoi Siccar Point në vitin 1788, ai vuri re një formacion të pazakontë shkëmbor.
Në këtë zonë, shkëmbinj shumë të lashtë qëndrojnë pothuajse vertikalisht, ndërsa mbi ta ndodhen shtresa shumë më të reja guri, të shtrira horizontalisht.
Ky formacion tregonte qartë se, midis krijimit të këtyre shtresave, kishte kaluar një periudhë jashtëzakonisht e gjatë kohore, shumë më e madhe nga sa mendohej deri atëherë.
Nga ky zbulim lindi koncepti i “deep time” (historia gjeologjike e Tokës), sipas të cilit historia e Tokës shtrihet në qindra miliona, madje miliarda vjet.
Sipas profesorit Mark Wilkinson, president i Shoqatës Gjeologjike të Edinburgut, zbulimi i Hutton, hapi rrugën për zhvillime të tjera të mëdha shkencore.
“Nuk mund të kuptosh evolucionin pa pasur një periudhë shumë të gjatë kohore. Hutton ishte ai që na e bëri të mundur këtë”, tha ai.
Çfarë ofron shtegu?
Shtegu nis pranë Pease Bay dhe përshkon shkëmbinjtë bregdetarë. Gjatë ecjes, vizitorët hasin tabela informuese dhe kode QR që ofrojnë materiale audio mbi jetën e James Hutton, historinë e zonës dhe rëndësinë shkencore të Siccar Point.
Përgjatë itinerarit ndodhet edhe Kisha e Shën Helenës, e ndërtuar me gur ranor të kuq, e cila ishte e rrënuar, kur Hutton vizitoi këtë zonë në shekullin XVIII.
Si arriti Hutton në këtë përfundim?
Ndryshe nga bindjet e kohës, Hutton nuk u mbështet te shpjegimet fetare, sipas të cilave Toka ishte krijuar në vitin 4004 para erës sonë.
Ai kaloi vite duke studiuar tokën, erozionin dhe shkëmbinjtë në zona të ndryshme të Skocisë.
Nga vëzhgimet e tij arriti në përfundimin se peizazhi i Tokës ndryshon vazhdimisht, përmes proceseve natyrore, që zhvillohen ngadalë gjatë miliona viteve.
Çfarë dimë sot?
Sot shkencëtarët besojnë se:
- shkëmbinjtë më të vjetër në Siccar Point janë formuar rreth 435 milionë vjet më parë në fundin e një oqeani të lashtë;
- më pas, lëvizjet e pllakave tektonike i ngritën këta shkëmbinj mbi sipërfaqen e Tokës;
- rreth 65 milionë vjet më vonë, mbi ta u formuan shtresa të reja guri.
Këto fakte mbështesin teorinë e Hutton, se Toka është formuar dhe transformuar përmes proceseve të ngadalta natyrore, gjatë periudhave jashtëzakonisht të gjata.
Një destinacion për shkencën
Edhe pse Siccar Point konsiderohet një nga vendet më të rëndësishme në botë për gjeologjinë, ai mbetet ende pak i njohur për turistët.
Krijuesit e “Deep Time Trail” shpresojnë se shtegu do ta bëjë këtë zonë më të vizitueshme dhe do t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë më lehtë, një nga zbulimet që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si njerëzimi e kupton historinë e Tokës. /

Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.