Shtetësia nga lindja në SHBA, ekspertët: Trump mund të “shpërfillë” vendimin e Gjykatës
Një nga nismat kryesore të Donald Trumpit në fillim të mandatit të tij të dytë ishte përpjekja për të ndryshuar interpretimin e Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA-së, me synimin për t’i dhënë fund shtetësisë automatike për fëmijët e lindur në territorin amerikan.
Megjithatë, kjo përpjekje u pengua pasi Gjykata Supreme vendosi kundër administratës së tij. Vendimi u përshëndet nga Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU), i cili e cilësoi atë si një riafirmim të një prej parimeve themelore të shtetit amerikan. “Pavarësisht se kush janë prindërit tuaj, nëse lindni në SHBA, ju i përkisni këtij vendi”, thuhet në reagimin e ACLU-së.
Trump kishte kritikuar prej kohësh shtetësinë sipas lindjes, duke e quajtur atë “një turp”, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance e kishte përshkruar si “politikën më të gabuar të emigracionit në botë”.
Por edhe pse vendimi i Gjykatës Supreme ruan statusin aktual ligjor, ekspertët paralajmërojnë se debati i hapur mbi këtë çështje ka krijuar pasiguri.
Kim Lane Scheppele, profesoreshë e Sociologjisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton, tha se fakti që kjo çështje është vënë në diskutim ka bërë që edhe qytetarët që kanë jetuar gjithë jetën në SHBA të ndihen më të pasigurtë për statusin e tyre.
Ajo deklaroi se administrata Trump ka shtuar përpjekjet për verifikimin e shtetësisë dhe ka ngritur një zyrë të posaçme për rastet e denatyralizimit pranë Departamentit të Drejtësisë. Trump e ka paraqitur prej vitesh heqjen e shtetësisë sipas lindjes si një nga shtyllat kryesore të politikës së tij të imigracionit, duke argumentuar se kjo praktikë nxit emigracionin e paligjshëm.
Vendimi i Gjykatës Supreme përbën një goditje për një nga premtimet më të rëndësishme të administratës së tij në fushën e emigracionit.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se kjo nuk pritet ta ndryshojë kursin e politikës “America First”, pasi Trump ka treguar se synon të vazhdojë me masa të ashpra ndaj emigracionit të paligjshëm dhe kufizimin e hyrjes së refugjatëve në SHBA.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.