Si do të llogaritet fatura e re për taksën e pronës dhe lehtësitë për shtëpitë e para
Sqarimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë
Nga viti 2029 pritet të nisë zbatimin taksa e re për ndërtesat, që do të ndryshojë formulën e llogaritjes për detyrimin dhe shkallët e saj.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë shpjegon për “Monitor” në detaje formulën e re të llogaritjes, mënyrën e vlerësimit të pronave dhe mekanizmat mbrojtës të parashikuar në projektligj.
Sipas saj, projektligji nuk sjell vetëm rritje të shkallëve të taksimit, por ndryshon të gjithë mënyrën e vlerësimit të pronave, duke kaluar nga sistemi aktual i bazuar në çmimet fiskale drejt një modeli që i afrohet vlerës së tregut.
Për herë të parë parashikohen lehtësi për banesën e parë, ndërsa zgjerohet edhe baza e tatueshme duke përfshirë kategori pronash që deri më sot nuk janë taksuar, trojet apo parcelat bujqësore.
Së pari, çfarë ndryshimesh pritet të sjellë projektligji për taksimin e pasurive të paluajtshme? Cilat janë kategoritë e pronave që do të përfshihen?
Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” synon të krijojë një kuadër të ri dhe të konsoliduar për administrimin e taksës mbi pasurinë në Republikën e Shqipërisë, duke unifikuar rregullat për llogaritjen dhe mbledhjen e saj.
Projektligji synon të modernizojë tërësisht sistemin e taksimit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, duke kaluar drejt një sistemi të unifikuar, ku si ndërtesat, ashtu edhe toka, do të taksohen mbi bazën e një vlere të përafërt me vlerën e tyre të tregut.
Projektligji parashikon mekanizma mbrojtës edhe për familjet dhe individët me të ardhura të ulëta, rregulla më të qarta për njoftimin, ankimin dhe rimbursimin e detyrimeve tatimore, si dhe publikimin e një game të gjerë informacioni për taksapaguesit.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të projektligjit lidhet me zgjerimin e bazës tatimore. Aktualisht, baza tatimore përfshin vetëm ndërtesat, truallin dhe tokën bujqësore. Si rezultat, një numër i konsiderueshëm pasurish të paluajtshme, si livadhet, kullotat, parcelat pyjore apo tokat e klasifikuara në kategori të tjera kadastrale, nuk taksohen.
Projektligji zgjeron bazën tatimore duke përfshirë edhe këto kategori pasurish të paluajtshme. Qëllimi është që të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të sigurohet një bazë tatimore më e plotë dhe më e drejtë.
Ai përcakton gjashtë kategori taksimi:
- tokë bujqësore-blegtorale;
- tokë pyjore;
- tokë truall;
- tokë për përdorime të tjera;
- ndërtesë për banim;
- ndërtesë për veprimtari ekonomike.
Paralelisht, projektligji standardizon proceset e administrimit të taksës, qartëson dhe optimizon një sërë aspektesh që lidhen me administrimin e saj, forcon mekanizmat për mbledhjen e detyrimeve të papaguara dhe rrit mbështetjen teknike nga niveli qendror, me synimin për të ulur kostot e administrimit dhe për të garantuar një administrim më të barabartë, më efektiv dhe më të unifikuar të taksës mbi pasurinë.
Në mënyrë të përmbledhur mund të theksojmë se qëllimi i këtij projektligji nuk është të krijojë lehtësi të përkohshme, por të vendosë një mekanizëm të qëndrueshëm, që balancon kalimin drejt një sistemi të bazuar në vlerën e vlerësuar me mbrojtjen e banesës së parë.
Kjo garanton që modernizimi i sistemit të taksimit të mos përkthehet automatikisht në një rritje të barrës tatimore për shumicën e familjeve.
Çfarë parashikon formula e re? Si do të llogaritet detyrimi për taksën e banesës? Cili është kriteri kryesor për të aplikuar zbritjen 50% të vlerës së banesës së parë? Si do të funksionojë pragu maksimal i zbritjes sipas kategorive të bashkive?
Formula bazë e llogaritjes së taksës është e njëjtë për të gjitha pasuritë: vlera e taksueshme e pasurisë shumëzohet me shkallën e taksës së miratuar nga këshilli bashkiak për kategorinë përkatëse.
Një nga risitë më të rëndësishme të projektligjit lidhet me trajtimin e banesës së parë. Për herë të parë, parashikohet aplikimi i një zbritje nga vlera e banesës së parë në masën 50%, e cila në çdo rast nuk mund të tejkalojë pragun maksimal të zbritjes të përcaktuar për bashkinë ku ndodhet ajo banesë.
Thënë ndryshe, një pjesë e vlerës së banesës së parë përjashtohet nga taksimi. Për banesat me vlerë të ulët dhe mesatare (deri në dyfishin e pragut të zbritjes), taksa do të llogaritet vetëm mbi gjysmën e vlerës së banesës, duke bërë që pronari apo poseduesi i saj të paguajë gjysmën e taksës që do të paguante pa këtë lehtësi.
Pragjet maksimale të zbritjes janë diferencuar sipas kategorive të bashkive, duke reflektuar ndryshimet që ekzistojnë në tregun e pasurive të paluajtshme në zona të ndryshme të vendit.
Duhet mbajtur në konsideratë se zbritja mund të përfitohet vetëm për një banesë. Nëse individi zotëron vetëm një banesë, atëherë zbritja aplikohet automatikisht. Në rastet kur zotërohet më shumë se një banesë, individi duhet të vetëdeklarojë se cilën prej tyre do të konsiderojë si banesë të parë për efekt të përfitimit të kësaj norme të lehtësuar.
Po banesat e dyta, aplikohet formula për zbritjen 50% të vlerës së banesës?
Projektligji parashikon që zbritja për banesën e parë të zbatohet vetëm për një banesë të individit, pavarësisht numrit të banesave që ai ka në pronësi ose posedim.
Nëse një individ zotëron dy ose më shumë banesa, ai ka të drejtë të përfitojë zbritjen vetëm për banesën që deklaron si banesë të parë. Për banesat e tjera nuk zbatohet kjo lehtësi dhe taksa llogaritet mbi bazën e vlerës së tyre të plotë të taksueshme.
Metodologjia në fuqi e llogarit detyrimin sipas çmimeve fiskale. Si e parashikon llogaritjen e vlerës së pronës projektligji i ri? Pra si do të përcaktohet baza (vlera e pronës) për llogaritjen e taksës?
Projektligji parashikon që një nga komponentët kryesorë për llogaritjen e taksës të jetë vlera e vlerësuar e pasurisë, e cila do të pasqyrojë vlerën e përafërt të tregut të asaj pasurie.
Në praktikë, për shumicën dërrmuese të pronave, kjo vlerë do të llogaritet duke përdorur hartat e vlerës dhe çmimet e referencës, të cilat hartohen nga Autoriteti Vlerësues në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, bazuar në analizën e tregut të pasurive të paluajtshme, të dhënat e transaksioneve dhe standardet ndërkombëtare të vlerësimit.
Për të siguruar vlera sa më të sakta të pasurive, nuk do të merret në konsideratë vetëm vendndodhja e tyre, e reflektuar përmes çmimit të referencës së zonës së vlerës ku ato ndodhen. Formula e përcaktimit të vlerës së vlerësuar do të përfshijë edhe faktorë të tjerë vlere, si përdorimi, vjetërsia dhe karakteristika të tjera që ndikojnë në vlerën e pasurisë.
Qëllimi është që taksa të bazohet në vlera të vlerësuara që pasqyrojnë, në masën më të madhe të mundshme, vlerat e tregut të pasurive të paluajtshme.
A mund të sillni një shembull konkret të llogaritjes së detyrimit sipas formulës së re?
Llogaritja e detyrimit do të kryhet automatikisht nga Sistemi Informatik i Kadastrës Fiskale (SIKF), duke zbatuar formulën e parashikuar në ligj.
Për çdo pasuri, sistemi do të marrë në konsideratë:
- vlerën e vlerësuar të pasurisë;
- zbritjet e aplikueshme sipas ligjit, përfshirë zbritjen për banesën e parë kur plotësohen kushtet;
- dhe shkallën e zbatueshme të taksës për kategorinë përkatëse.
Mbi bazën e këtyre elementeve, sistemi do të llogarisë automatikisht detyrimin tatimor dhe do të gjenerojë njoftimin përkatës të vlerësimit të taksës.
Për shkak se vlera e taksueshme, shkallët e taksës dhe zbritjet mund të ndryshojnë nga një rast në tjetrin dhe nga një bashki në tjetrën, detyrimi për secilën pasuri do të përcaktohet individualisht nga sistemi në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligj.
Po për kategoritë e tjera të pronave, si do të llogaritet detyrimi?
Parimi i llogaritjes është i njëjtë për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme që i nënshtrohen taksimit.
Detyrimi tatimor përcaktohet duke shumëzuar vlerën e taksueshme të pasurisë me shkallën e zbatueshme të taksës.
Projektligji parashikon edhe rregulla të veçanta për kategori të caktuara pasurish. Për shembull, për parcelat është parashikuar një masë tranzitore, sipas së cilës, në dy vitet e para të zbatimit të taksës, zbritet nga vlera e vlerësuar e parcelës që i nënshtrohet taksimit një shumë e barabartë me 50% të vlerës së saj përpara llogaritjes së detyrimit tatimor.
Lexoni edhe:
Deri në dyfishim taksash për 3 milionë ndërtesa për banim, shembujt



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.