Sofia Vergara thumbon ish-bashkëshortin pas akuzave të tij

Sofia Vergara ka ndarë në rrjetet sociale disa mesazhe të forta për “burrat narcistë”, pasi ish-bashkëshorti i saj, Joe Manganiello, u bë pjesë e lajmeve për deklaratat ndaj aktores në librin e tij të ardhshëm me kujtime.
Aktorja e serialit “Modern Family” rishpërndau në Instagram një postim të publikuar fillimisht nga djali i saj, Manolo, i cili fliste për mënyrën se si duhet të përballesh me një person narcist dhe dallimet mes sjelljes së tij dhe asaj të një burri të mirë.
“Mbani mend, fëmijë… nuk ka rëndësi sa shumë bëni për një person narcist”, thuhej në mesazhin e shpërndarë nga Manolo.
“Do t’ju mbajnë mëri për këtë, asgjë nuk do t’u duket kurrë e mjaftueshme dhe gjithmonë do të përpiqen t’ju paraqesin si personin e keq”, vijonte postimi.
Mesazhi shoqërohej me një grafik që rendiste disa nga tiparet që i atribuohen personave narcistë, mes tyre dëshira për t’u ndier superiorë dhe sjellja e papjekur.
Kjo nuk ishte hera e parë që Vergara ndante mesazhe me nënkuptime. Një mbrëmje më parë, ajo kishte rishpërndarë një tjetër postim, sipas të cilit aftësia për të qeshur me veten është shenjë e inteligjencës së lartë, ndërsa paaftësia për ta bërë këtë tregon se ke të bësh me një person budalla.
Postimi, i publikuar fillimisht nga Tom Brady, shoqërohej me mesazhin se “jeta është shumë e shkurtër për ta marrë gjithçka kaq seriozisht”. Aktorja e shoqëroi rishpërndarjen me emoji duartrokitjesh.
Postimet e Vergarës vijnë pasi revista People publikoi disa pjesë nga libri i ardhshëm i Manganiellos, “Bloodlines”, i cili pritet të dalë më 13 tetor.
Në libër, aktori pretendon se martesa e tyre, drejt fundit, ishte “plotësisht e zhveshur nga çdo lloj emocioni”.
Ai gjithashtu pretendon se Vergara refuzonte ta përqafonte, edhe kur ai i kërkonte një përqafim, gjatë periudhës kur po përballej me probleme të rënda shëndetësore.
Aktori i “True Blood” pretendon gjithashtu se ish-bashkëshortja e kishte tallur për qenin që ai kishte adoptuar në vitin 2019, në një periudhë kur po kalonte një krizë të rëndë emocionale.
Manganiello thotë se libri synon të sqarojë të vërtetën e tij, pasi, sipas tij, disa gjëra të thëna dhe të publikuara për të nuk kanë qenë të vërteta.
Pse u nda çifti?
Vergara dhe Manganiello u martuan në nëntor të vitit 2015, pas më pak se një viti lidhjeje, ndërsa divorci i tyre u finalizua në shkurt të vitit 2024.
Në një intervistë për Men’s Journal në vitin 2024, aktorja kishte thënë se një nga arsyet e ndarjes ishte dëshira e ish-bashkëshortit për të pasur fëmijë.
Vergara, e cila ka një djalë, Manolon, nga martesa e mëparshme me Joe Gonzalez, kishte shpjeguar se nuk dëshironte të bëhej nënë në një moshë më të madhe.
“Nuk doja të bëhesha një nënë e moshuar. Nuk mendoj se kjo është e drejtë për fëmijën”, ishte shprehur ajo, duke shtuar se respektonte ata që zgjidhnin ta bënin këtë, por se nuk ishte më një zgjedhje për të.
Manganiello, nga ana e tij, sqaron në librin e tij se çifti kishte hequr dorë nga përpjekjet për fertilizim in vitro për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Aktori është tashmë i fejuar me Caitlin O’Connor, me të cilën ka shprehur dëshirën për të pasur fëmijë nëse kjo është ajo që i rezervon jeta. Vergara, ndërkohë, është në një lidhje me drejtuesin e një kompanie bizhuterish, Douglas Chabbott.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.