Politika

Sot protesta e PD, Basha: Aksion i kombinuar i opozitës dhe qytetarëve

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, paralajmëroi dje se protesta e sotme e opozitës përpara parlamentit do të jetë tërësisht paqësore, ndërkohë që ajo do të jetë e ndërthurur me aksionin opozitar që do të bëjnë deputetët e PD-së në Kuvend. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar demokrat, Basha akuzoi se kryeministri Edi Rama ka krijuar një shtet të padrejtë, që vjedh dhe dhunon qytetarët. Këtë shtet sipas tij, shqiptarët nuk e pranojnë, ndaj ai tha se do përdoret çdo formë e protestës demokratike për ta larguar kryeministrin Rama.

“Me këtë bindje do vijojmë protestat paqësore për largimin e qeverisë ‘Rama’ me dështimet spektakolare. Këtë do të bëjmë, këtë zgjidhje do të shërbejmë përmes aksionit të kombinuar të deputetëve tanë në sallën e Kuvendit, me protestën qytetare para Parlamentit. Në shënjestër është projektbuxheti dhe paketa fiskale, dy dokumente si dy dekrete vdekje të ekonomisë kombëtare. Do të bëjmë çmos t’i ndalojmë, shtetin e së padrejtës që bën sikur skandalizohet me dy xhama të thyer nga dy-tre protestues në lumin prej njëqind e pesëdhjetë mijë protestuesish dhe jo me shtypjen dhunimin mashtrimin dhe vjedhjen që i bëhet ditën për diell miliona shqiptarëve e që i shtyn ata në dëshpërim, në vetëflijim e në arrati”, – deklaroi Basha. Duke folur përpara grupit të tij parlamentar, ai pretendoi se buxheti i vitit 2016 është buxheti i katastrofës, ndërkohë që siç tha Basha, një alternativë tjetër u propozohet qytetarëve për një qeveri teknike.

“Ky është buxheti i katastrofës, zhvatjes së qytetarëve që paguajnë taksa të larta nga kusarët që i thonë vetes qeveri. Projektbuxheti i fundit i plotë i kësaj qeverie është akti i fundit i të zezës mbi të bardhë i kësaj qeverie. Ne kemi propozuar largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike, ne qëndrojmë e do qëndrojmë fort në këtë zgjidhje, përmes prote-stave”, – deklaroi kreu i opozitës. Sipas Bashës, perspektiva e keqe e kësaj qeverie nuk është prognozë dhe ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen pa dallime politike, për t’u mbledhur para parlamentit, që të largohet qeveria dhe të diktohet marrëveshja për krijimin e qeverisë teknike.

“I shtrënguar në rrëfimin e dështimeve, Rama po trumbeton se po bën shtet, por ai ka vajisur me paratë e korrupsionit propagandën për të ngritur mitin e shtetformimit. Me dashje ose nga injoranca fyen një popull, që ka ditur të jetojë edhe në kohërat më të errëta, ngatërron lidhjet mes ligjit, lirisë e së drejtës, që s’duhet të përplasen e fërkohen”, deklaroi kreu i PD-së. Ai bëri të qartë se: “Këtë shtet e konsiderojmë non grata, ne e refuzojmë, ne e luftojmë”. Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, kryetari i PD-së iu bëri edhe njëherë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën para parlamentit për të larguar qeverinë dhe për të diktuar krijimin e një qeverie teknike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button