STAMBOLL – Turqia propozon kreun e OSBE-së për postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së
– Turqia ka propozuar diplomatin Feridun Sinirlioglu, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si kandidat për të pasuar António Guterres në krye të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Sipas agjencisë shtetërore turke “Anadolu”, kandidatura e tij synon të shërbejë si një zgjidhje kompromisi, në kushtet kur procesi për zgjedhjen e pasuesit të Guterres ka ngecur prej muajsh.
Kërkesa zyrtare për kandidimin e tij iu dorëzua selisë së OKB-së dje në Nju Jork nga ambasadori turk në organizatë.
Sinirlioglu është diplomat me përvojë dhe ka përfaqësuar Turqinë në OKB nga viti 2016 deri në vitin 2023.
Në fund të vitit 2024, ai u zgjodh njëzëri në krye të OSBE-së.
Mandati i António Guterres përfundon në fund të këtij viti.
Zgjedhja e pasuesit të tij po zhvillohet përmes konsultimeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku pesë anëtarët e përhershëm – SHBA-ja, Kina, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe – kanë të drejtën e vetos.
Megjithëse shumë vende anëtare kanë shprehur mbështetje për zgjedhjen e një gruaje për herë të parë në këtë post, si dhe për një kandidat nga Amerika Latine ose Karaibet, Sinirlioglu nuk përmbush asnjërin prej këtyre dy kritereve.
Kandidatura e tij mbështetet nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, i cili ka kërkuar vazhdimisht reformimin e OKB-së dhe kufizimin e ndikimit të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.