☀️
Tiranë 25°C · Kthjellët 08 August 2026
S&P 500 7,758 ▲0.62%
DOW 54,037 ▲0.28%
NASDAQ 26,691 ▲1.3%
NAFTA 78.18 ▲1.15%
ARI 4,400 ▲2.33%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123 EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123
₿ CRYPTO
BTC $65,069 ▲ +0.15% ETH $1,921 ▲ +0.34% XRP $1.0430 ▲ +1.74% SOL $76.3200 ▲ +3.44%
S&P 500 7,758 ▲0.62 % DOW 54,037 ▲0.28 % NASDAQ 26,691 ▲1.3 % NAFTA 78.18 ▲1.15 % ARI 4,400 ▲2.33 % S&P 500 7,758 ▲0.62 % DOW 54,037 ▲0.28 % NASDAQ 26,691 ▲1.3 % NAFTA 78.18 ▲1.15 % ARI 4,400 ▲2.33 %
EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123 EUR/USD 1.1552 EUR/GBP 0.8569 EUR/CHF 0.9342 EUR/ALL 93.2153 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3365 EUR/TRY 55.1300 EUR/JPY 182.37 EUR/CAD 1.6123
08 Aug 2026
Breaking
Ekonomia

Të paktën 600 euro/muaj; Shtëpitë me qira bëhen “mollë e ndaluar” për shqiptarët

Në muajt janar-qershor 2026, qiratë për apartamentet 1+1 arritën mesatarisht 590 euro në muaj, ndërsa për banesat 2+1, në 954 euro, me rritje nga 4.4% deri në 27% krahasuar me janar – qershor 2024. Sipas llogaritjeve, në pjesën dërrmuese të Tiranës, nga periferia në qendër, kostoja e strehimit tejkalon kufirin ndërkombëtar të përballueshmërisë. Për agjentët imobiliarë, rritja e kërkesës, zgjerimi i qirave ditore dhe oferta e kufizuar po shtyjnë drejt shtrenjtimit të çmimeve duke rënduar buxhetet e familjeve dhe të rinjve.

Dorina Azo

Një familje në Tiranë, për t’u strehuar në një apartament me qira të tipologjisë 1+1, duhet të paguajë mesatarisht 590 euro në muaj. Ndërsa për një apartament me sipërfaqe më të madhe, kostoja mesatare e qirasë arrin në 954 euro në muaj.

Në periudhën janar – qershor 2026, sipas të dhënave të agjencisë imobiliare “Century 21” (të analizuara në bazë të transaksioneve, për 13 zona në Tiranë që përfshijnë si periferinë edhe qendrën), qiraja mesatare mujore ka arritur në 590 euro nga 565 euro në muaj që ishte në muajt janar – qershor 2025.

Krahasuar me të njëjtën periudhë, çmimi mesatar është rritur me 4.4%.

Për apartamentet 2+1, çmimi mesatar për qiranë arriti 954 euro në muaj nga 755 euro që ishte në muajt janar-qershor 2025. Për periudhën janar-qershor 2026, çmimet mesatare të qirave u rritën me rreth 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, sipas të dhënave të “Century 21” të përpunuara për “Monitor”.

Edhe të dhënat e INSTAT për ndryshimin e indeksit vjetor të çmimit të qirave tregojnë se prej disa vitesh, tregu i banesave me qira ka hyrë në fazën e shtrenjtimit.

Sipas të dhënave të INSTAT, çmimet e qirave kanë shfaqur tendencë rritëse gjatë periudhës 2022 – maj 2026. Sipas indeksit, ndryshimi vjetor i qirave nga mars 2022 deri në muajin maj 2026 luhatet nga 1 deri në 8.5%.

Përshpejtimi i rritjes vihet re se ka nisur nga muaji maj 2025. Pas një rënie të indeksit në muajt janar – shkurt 2025 (ndryshimi vjetor arriti 0.9) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, në muajt në vijim vihet re përshpejtimi i rritjes, duke u ngjitur deri në 8.5% në fund të vitit 2025 dhe në muajt e parë të 2026-s.

Referuar të dhënave, për muajin maj 2026, ndryshimi vjetor i çmimit të qirave arriti 6%, gjë që tregon se çmimet e qirave për muajin maj 2026 janë rritur me 6% krahasuar me maj 2025.

Burimi: INSTAT

Si kanë ndryshuar çmimet e qirave sipas zonave

Nga të dhënat e agjencisë imobiliare, sipas zonave në Tiranë, rezulton se në periudhën janar–qershor 2026, rritja më e lartë e çmimeve mesatare të qirave për apartamentet 1+1 është për zonën pranë stadiumit “Air Albania”.

Çmimi mesatar arriti në 800 euro në muaj apo 45.4% më shumë sesa në janar – qershor 2025.

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi mesatar i qirasë mujore për apartamentet 1+1 arriti në 700 euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur qiraja mesatare ishte 650 euro në muaj, çmimi u rrit me 7.6%.

Rritje të konsiderueshme të çmimeve mesatare të qirave pati edhe në zonën e “Zogut të Zi” me 29%, dhe në Rrugën e Elbasanit, me 18%.

Edhe zonat periferike të Tiranës shënuan rritje të çmimeve të qirave gjatë periudhës janar–qershor 2026, megjithëse nivelet e qirave mbetën dukshëm më të ulëta krahasuar me zonat qendrore.

Për apartamentet 1+1, qiraja mesatare në “Astir” arriti në 550 euro në muaj, me rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në “Zogun e Zi”, qiraja mesatare u rrit me 29%, duke arritur në 620 euro në muaj.

Ndërsa në “Don Bosko”, “Kinostudio” dhe “Kombinat”, rritja luhatet nga 2 deri në 3%.

Nga ana tjetër, disa zona pësuan rënie të çmimeve të qirave. Rënia më e madhe u regjistrua në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku qiraja mesatare zbriti me 23%, nga 740 në 570 euro në muaj.

Ulje pati edhe në zonën e Liqenit Artificial me 15% dhe në Komunën e Parisit, me 6%. Agjentët imobiliarë të “Century 21” shpjegojnë se rënia e çmimeve është ndikuar nga ulja e numrit të transaksioneve të qiradhënies dhe ofertës të kufizuar në këto zona për këtë kategori pronash.

Po ashtu, edhe për apartamentet 2+1, çmimet më të larta të qirave gjatë periudhës janar–qershor 2026 u regjistruan në zonën pranë stadiumit “Air Albania” dhe në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku qiraja mesatare arriti në 1,500 euro në muaj.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, çmimet u rritën përkatësisht me 46 deri në 53%.

Rritje të fortë pati edhe në zonën e “Myslym Shyrit”, ku qiraja mesatare për apartamentet 2+1 arriti në 1,400 euro në muaj, apo rreth 87% më shumë se një vit më parë. Në Rrugën e Elbasanit, qiraja mesatare arriti 1,250 euro në muaj apo rreth 25% më shumë se 6-mujori i parë i 2025-s.

Ndërkohë, në ish-Bllok, çmimi mesatar mbeti pothuajse i pandryshuar, duke u rritur vetëm me 0.1%, nga 1,099 në 1,100 euro në muaj.

Në “Zogun e Zi”, qiraja mesatare arriti në 900 euro në muaj, ose 12.5% më shumë se një vit më parë.

Për apartamentet 2+1, rritjet e çmimeve ishin të dukshme edhe te zonat periferike.

Në zonën e “Astir”, qiraja mesatare arriti në 665 euro në muaj, me rritje me rreth 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Në zonën e Freskut, çmimet mesatare të qirave për këtë kategori apartamentesh u rritën me rreth 29%, duke arritur në 450 euro në muaj.

Pavarësisht rritjes së çmimeve, zonat periferike vijojnë të ofrojnë alternativa më të përballueshme për qiramarrësit krahasuar në zonat elitare dhe ato pranë qendrës së Tiranës, ku çmimet e qirave janë ndjeshëm më të larta.

Apartamentet 2+1, më të kërkuarat për qira

Të dhënat tregojnë se rritjet më të forta të çmimeve për qiratë janë regjistruar për apartamentet 2+1 dhe në zonat qendrore të Tiranës.

“Apartamentet 2+1 janë produkti më i kërkuar në tregun e qirave. Ato janë të përshtatshme për familje, çifte të reja, por edhe për profesionistë apo studentë që ndajnë banesën, ndaj kanë një bazë shumë të gjerë klientësh”, sipas Dritan Lekës.

Zonat qendrore mbeten më të parapëlqyerat për shkak të afërsisë me vendet e punës, universitetet dhe shërbimet kryesore si dhe pikat e interesit.

Kur kërkesa është shumë më e lartë se oferta, është normale që pikërisht këto segmente të regjistrojnë rritjen më të madhe të çmimeve.
“Kërkesa në këto zona mbështetet gjithashtu nga profesionistët e rinj, punonjësit e kompanive të huaja, diplomatët dhe shtetasit e huaj që jetojnë në Shqipëri.

Për këto kategori, afërsia me qendrën dhe komoditeti i ofruar nga infrastruktura urbane shpesh kanë më shumë peshë sesa diferenca në koston e qirasë.

Numri i të huajve, që kërkojnë apartamente me qira është rritur ndjeshëm në vitet e fundit dhe kjo ka shtuar kërkesën, sidomos për prona me standard të mirë dhe në zona premium.

Fenomeni është më i dukshëm për zonat si ish-Blloku, pranë Liqenit Artificial, në Qendër, Komunën e Parisit dhe disa zona të tjera të preferuara të Tiranës”, thotë z. Leka.

LEXONI EDHE:

Agjentët imobiliarë: Rritja e qirave nga kërkesa e lartë, oferta e kufizuar dhe ndikimi i turizmit

Indeksi i përballueshmërisë; Rritja e qirave po rëndon familjet

Tirana, e dyta në Europë për barrën e qirasë ndaj pagës

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.