TEHERAN – Irani kundërshton planin e Trumpit për përdorimin e aseteve të ngrira
TEHERAN, 24 korrik /ATSH-DPA/- Irani ka paralajmëruar administratën amerikane kundër planit të presidentit Donald Trump për të përdorur asetet e ngrira iraniane për të kompensuar dëmet e shkaktuara ndaj anijeve tregtare.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e cilësoi këtë ide si një precedent të rrezikshëm që mund të cenojë sigurinë e aseteve shtetërore në mbarë botën.
Në një reagim në rrjetin social X, Araghchi tha se konfiskimi i pasurive të një shteti për të shlyer pretendime që nuk lidhen drejtpërdrejt me to do të krijonte një “precedent ndezës”.
Ai paralajmëroi se, nëse qeveritë fillojnë ta normalizojnë konfiskimin e aseteve të vendeve të tjera, atëherë asnjë shtet nuk do të mund të ndihet i sigurt për rezervat dhe pasuritë e tij jashtë vendit.
Deklarata erdhi pasi presidenti Trump njoftoi se Irani do të mbahet financiarisht përgjegjës për çdo dëm të shkaktuar ndaj anijeve, ngarkesave apo mjeteve të tjera detare në kuadër të tensioneve në ngushticën strategjike të Hormuzit.
Në platformën Truth Social, presidenti amerikan shkroi se, nga ky moment e tutje, çdo dëm do të paguhet me “paratë iraniane” që ndodhen nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump la të kuptohet se i referohej miliarda dollarëve të aseteve iraniane të ngrira në juridiksionin amerikan, megjithëse nuk sqaroi bazën ligjore mbi të cilën administrata e tij synon të ndërmarrë një veprim të tillë.
Ai argumentoi se kjo do të ishte një zgjidhje “e drejtë dhe e barabartë”, pavarësisht se dëmet mund të jenë shumë të mëdha.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar sërish gjatë këtij muaji, pasi forcat iraniane hapën zjarr ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.
Në përgjigje, ushtria amerikane ka kryer disa sulme ndaj objektivave në Iran, duke deklaruar se synon të parandalojë sulme të tjera ndaj anijeve tregtare dhe ekuipazheve të tyre./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.