UKRAINË – 11 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur pas sulmeve ruse
KIEV, 6 korrik /ATSH-DPA/ – Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një vale të re sulmesh ajrore ruse ndaj Ukrainës gjatë natës, njoftuan sot në mëngjes autoritetet ukrainase.
Sipas zyrtarëve, menjëherë pas mesnatës sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në mbarë vendin, ndërsa në Kiev pati shpërthime të fuqishme.
Paralajmërimet për rrezik u aktivizuan në pothuajse të gjitha rajonet e Ukrainës.
Shefi i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, deklaroi se të paktën 10 persona u vranë në kryeqytet.
Ai tha se disa ndërtesa shumëkatëshe banimi u goditën nga sulmet ruse.
“Këto janë ndërtesa banimi. Vende ku njerëzit flinin dhe jetonin jetën e tyre të zakonshme”, u shpreh Tkachenko, duke theksuar se objektivat e goditura ishin zona civile.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se të paktën 46 persona janë plagosur, mes tyre edhe tre fëmijë që janë dërguar në spital për trajtim.
Në rajonin e Bucha, guvernatori rajonal Mykola Kalashnyk njoftoi se një person ka humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve.
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar për një sulm të rëndë rus, duke thënë se shërbimet sekrete ukrainase kishin sinjalizuar për përgatitje të reja ushtarake nga Moska.
Në një postim në Facebook, Zelensky deklaroi se sulmet vijnë menjëherë pas festës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe pak para samitit të NATO në Ankara, duke akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se synon të përshkallëzojë dhunën dhe të shkaktojë më shumë viktima civile.
Samiti i NATO-s pritet të zhvillohet të martën dhe të mërkurën në kryeqytetin turk./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.