“Vajzë Fest 2026”, ndërthurje e sportit dhe kulturës në Amantia
“Vajzë Fest 2026” u çel në 14 gusht me Flakën Olimpike dhe vijoi me një spektakël sportiv në Parkun Arkeologjik të Amantias, duke sjellë një atmosferë të mbushur me energji, sport dhe pasion.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot momente nga ceremonia e hapjes së këtij aktiviteti që zhvillohet në datat 14-16 gusht në parkun arkeologjik të Amantias.
“Vajzë Fest 2026 u ndez me Flakën Olimpike dhe vazhdoi me spektakël sportiv!
Disiplina të ndryshme, sportistë plot energji dhe një atmosferë që kishte vetëm një ritëm: Full Power! E gjitha mes historisë dhe trashëgimisë së Amantias, ku sporti, kultura dhe rrënjët tona u bashkuan në një festë të vetme. Sport, energji, kulturë, pasion, adrenalinë”, tha Gonxhja.
Sportistë nga disiplina të ndryshme dhe pjesëmarrës të shumtë u bënë pjesë e aktivitetit, duke i dhënë festës ritmin dhe gjallërinë e një eventi që ndërthur sportin me kulturën.
Në sfondin e monumenteve dhe gjurmëve të lashta të Amantias, aktiviteti solli në vëmendje lidhjen mes traditës sportive, historisë dhe trashëgimisë kulturore të zonës.
Flaka Olimpike, me simbolikën e saj të bashkimit dhe të pasionit për sportin, shënoi nisjen e një feste që synon të sjellë më pranë komunitetin, sportistët dhe vizitorët në një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike të jugut të Shqipërisë.
“Vajzë Fest 2026” është një aktivitet që ndërthur sportin, energjinë, kulturën dhe trashëgiminë, duke e kthyer Amantian në një hapësirë ku historia e lashtë takohet me dinamizmin e aktiviteteve të sotme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.